Tirana, asamble brenda 15 ditësh

17/03/2009 09:35

Brenda 15 ditësh, klubi Tirana do të mbledhë asamblenë e saj. Ky është verdikti i mbledhjes së grupit iniciator të kësaj ideje, i cili përbëhej nga më shumë se 1/3 anëtarë të asamblesë.

Lajmi është konfirmuar nga Riza Icka, anëtar i asamblesë dhe anëtar i kryesisë së klubit. “Kërkesën për thirrjen e asamblesë e kanë firmosur 37 anëtarë të saj, ndërsa në mbledhjen e sotme u vendos që kjo asamble të mblidhet brenda 15 ditëve të ardhshme”.

Tashmë duket se gjithçka është vendosur, pasi, sipas statutit të klubit, për të mbledhur asamblenë vendos vetë klubi, ose kjo bëhet pas kërkesës së të paktën 1/3 të 71 anëtarëve të saj. Në rastin konkret janë plot 37 anëtarë, të cilët kanë firmosur kërkesën për thirrjen e asamblesë, çka është brenda rregullores.

Po ashtu, në mbledhjen e djeshme është përcaktuar edhe motoja e kësaj asambleje, e cila sipas zotit Icka është: “Donatorë bashkohuni për të mirën e Tiranës”. Thirrja e asamblesë, sipas anëtarit të kryesisë së klubit bardheblu, bëhet pasi kishte përfunduar afati i asamblesë së parë. Kjo do të jetë një asamble zgjedhore, ku pritet të ketë edhe një rinovim të anëtarëve të saj, sepse në listën aktuale të asamblesë figurojnë ende 7 persona të cilët janë të vdekur, mes të cilëve ish-presidenti El Sajedi, Bari Ishka etj., por edhe disa të tjerë që janë të sëmurë (disa nuk lëvizin, ose lëvizin shumë pak).

Po ashtu, në këtë asamble do të miratohen vendimet, të cilat do të jetë të vlefshme deri në momentin kur edhe do të bëhet kthimi i klubit në shoqëri aksionere. Por jo gjithçka ka shkuar vaj. Kjo, pasi një pjesë e anëtarëve të asamblesë janë kundër thirrjes së saj.

Gjithçka mbetet për t’u verifikuar në ditët e ardhshme. Menjëherë pas përcaktimit të afatit kohor të thirrjes së asamblesë ka reaguar edhe donatori Refik Halili (që nuk ka qenë pjesë e mbledhjes së djeshme, por është “pro”), i cili thekson se kjo “nuk i sjell asnjë të keqe askujt, por do të shërbejë për të rregulluar punët te Tirana, e cila prej disa kohësh nuk funksion si në anën administrative dhe ku problemet vazhdojnë të jenë ekzistente”.

Vetë Halili thekson se dëshira e tij është që në këtë asamble të zgjidhen të gjitha problemet dhe donatorët të vazhdojnë të bashkuar përpara. “Unë jam për bashkëpunim. Por jo për këtë lloj bashkëpunimi, ku disa punojnë dhe të tjerët (Papuli dhe Nuri) prishin punë, nuk respektojnë kontratat me klubin”. Gjithsesi, ditët në vazhdim priten të jenë të zhurmshme, ndërsa asambleja shpresohet të zgjidhë situatën kaotike në drejtim administrativ të klubit Tirana.

Top Channel