Beqiri: Çdo ndeshje është si një finale

21/03/2009 10:55

I filloi eliminatoret e Botërorit 2010 si “out-sider”, por pesha e tij në radhët e Kombëtares shqiptare e kuptua
shumë shpejt nga trajneri Ari Han.

Bëhet fjalë për Elvin Beqirin, që pas rikthimit prej dëmtimit të tmerrshëm, vazhdon të jetë një prej pikave të forta të mbrojtjes kuqezi.

Aktualisht i impenjuar me Vllazninë në luftën për titullin në Kategorinë Superiore, 28-vjeçari e kthen për
një moment vëmendjen te dy takimet ndërkombëtare. Më 28 mars në “Qemal Stafa” mbërrin Hungaria, ndërsa katër
ditë më pas përfaqësuesja jonë udhëton drejt Danimarkës, për t’u përballur me skuadrën e drejtuar nga Morten
Olsen. “Janë dy sfi da shumë të vështira”, deklaroi Beqiri për “Shqip”.

“Në fakt,në takimet ndërkombëtare nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë, por mendoj se tashmë kemi hyrë në fazën delikate të këtyre eliminatoreve. Tani, çdo ndeshje për ne do të jetë si një finale”. Edhe pse nuk i pëlqen të bëjë llogari, për mbrojtësin shkodran që në të kaluarën ka luajtur në Rusi, Izrael dhe Ukrainë, katër pikë në këto dy sfida do të ishin një rezultat perfekt.

“Përpara çdo ndeshjeje skuadra ka objektivat e saj. A mund të marrim katër pikë? Natyrisht që ky do të ishte rezultati ideal. Megjithatë, jam i mendimit se nuk duhet të bëjmë llogari përpara kohe”, vazhdoi ai.

“Zakonisht nuk na ndihmojnë shumë parashikimet.Preferoj që t’ia lemë gjithçka fushës. Ne thjesht duhet të impenjohemi maksimalisht për të marrë rezultat si me Hungarinë, ashtu edhe me Danimarkën.Për më tepër që futbolli i sotëm është i paparashikueshëm dhe mund të ndodhin shumë surpriza. Kjo Kombëtare ka treguar se mund të marrë rezultate pozitive pavarësisht emrit të kundërshtarit”.

Të shtunën e ardhshme në Tiranë mbërrin e vetmja skuadër që u ka shkaktuar kuqezinjve humbje në pesë ndeshje
të luajtura në Grupin 1 eliminator. “Hungarezët kanë një ekip të mirë, me lojtarë që luajnë nëpër të gjithë Evropën, për më tepër edhe ata kanë një trajner që vjen nga shkolla holandeze”, shtoi Beqiri.

Top Channel