Sot, asamble te Tirana, bashkia kunder

13/04/2009 09:10

Thellohet edhe më shumë konflikti midis grupit nismëtar për një asamble zgjedhore të Tiranës dhe “pronarit” të saj ligjor, Bashkisë së Tiranës.

Përmasat e kësaj përplasjeje mund të bëhen edhe më të mëdha pas zhvillimeve të sotme, kur pritet të mbahet asambleja e thirrur nga mbi 1/3 e anëtarëve të saj. Tashmë situata është rënduar për shkak se palët akuzojnë njëra-tjetrën për “interpretim ligjor jo korrekt” të statutit.

Bashkia

Të enjten e fundit, ishte pikërisht institucioni i qeverisjes lokale të kryeqytetit, në varësi të të cilit është klubi i Tiranës, ai që ka ndërhyrë për të frenuar hovin e nismëtarëve për zhvillimin e kësaj asambleje.

Nënkryetari Eduard Shalsi i është drejtuar grupit nismëtar nëpërmjet një letre, ku, duke i referuar legjislacionit në fuqi, ka theksuar se e konsideron të paligjshme mbajtjen e asamblesë. “Jemi vënë në dijeni, nëpërmjet një letre krejtësisht jo etike dhe profesionale (përveçse e pafirmosur, është edhe me gabime në vendosje datash që i referohen vitit të kaluar) mbi zhvillimin e një asambleje të Klubit të Futbollit, Tirana. Do të dëshironim t’ju bënim me dije sa më poshtë:

Se Klubi i Futbollit “Tirana” është organizatë sportive në varësi të Bashkisë së Tiranës, që ushtron veprimtarinë e tij në bazë të legjislacionit në fuqi dhe me statutin e tij. Vlen të theksojmë se neni 11, paragrafi 2 i Statutit të Klubeve Sportive Shtetërore të cilit ju i referoheni në njoftimin tuaj, përcakton se: … Dita, vendi dhe rendi i ditës së Asamblesë duhet t’u bëhet i ditur anëtarëve nëpërmjet presidentit dhe sekretarit ekzekutiv të Klubit Sportiv 15 ditë përpara…”. Prandaj nënkryetari u ka bërë thirrje se bashkia është e hapur për bisedime, por gjithnjë duke respektuar statutin dhe procedurat ligjore.

Nismëtarët

Grupi nismëtar për thirrjen e asamblesë së jashtëzakonshme të klubit të Tiranës u ka kthyer përgjigje edhe drejtuesve të Bashkisë së Tiranës në lidhje me vendimin e marrë për zhvillimin e asamblesë më 13 prill (sot). Në një letër të drejtuar nënkryetarit të bashkisë, Eduard Shalsi, grupi nismëtar kërkon nga autoritetet që të bëhen pjesë e zhvillimit të asamblesë, si një nismë e ligjshme e bazuar në statut.

Njëri prej anëtarëve të kryesisë, Riza Icka, theksoi dje se “nuk jemi ne ata që nuk e interpretojnë në mënyrë korrekte statutin, por bashkia. Ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara në statut, duke i vënë në dijeni të gjithë anëtarët në kohën e duhur. Mbajtja e asamblesë së jashtëzakonshme është e domosdoshme dhe ajo do të ketë vetëm karakter zgjedhor dhe jo vendimmarrës. Për vendime do të duhet të mendojë asambleja e re në një mbledhje tjetër.

Ne shpresojnë që të marrë pjesë dhe bashkia në këtë proces”. Në grupin nismëtar bëjnë pjesë 39 nga 71 anëtarët e të asamblesë. Tashmë gjithçka duket e vendosur. Asambleja do të mbahet sot, në orën 17:00, në një nga hotelet e kryeqytetit. Por pa “bekimin” e bashkisë, kjo asamble duket e cunguar dhe mund të thellojë edhe më shumë problemet mes palëve.  
 

Top Channel