Bostinaru: Qeveria të zgjidhë krizën

17/03/2010 19:50

Nënkryetari i delegacionit për Evropën juglindore në Parlamentin Europian, Victor Bostinaru, i kërkoi qeverisë të gjejë një zgjidhje për krizën politike në vend, në të kundërt sipas tij ajo duhet të përgatitet për kostot. (UPDATE)

“Mesazhi im si zëvendëskryetar i delegacionit për Europën juglindore është i qartë si kristali: qeveria duhet të gjejë një zgjidhje. Qeveria dhe kryeministri duhet të jenë në Kuvend për të negociuar për një zgjidhje politike për të zgjidhur krizën ekzistuese politike. Unë besoj se zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit”, ka deklaruar Bostinaru.

Sipas zotit Bostinaru, qeveria duhet të veprojë me pjekuri në këtë rast duke mos ndërmarrë veprime që do të kishin një kosto të madhe për të gjithë shqiptarët në raport me Bashkimin Europian.

“Le të mos gjykojmë paraprakisht. Sepse zoti Berisha dhe partia e tij vazhdimisht në mënyrë të përsëritur i kanë premtuar Europës se ata do të gjejnë zgjidhje, se do të punojnë së bashku me Partinë Socialiste për një zgjidhje politike dhe tani është koha e duhur për ta bërë këtë. Nëse nesër mazhoranca do të vendosë të refuzojë propozimet e Partisë Socialiste, kjo do t’i kushtojë. Dua të jem i qartë: do të jetë me kosto, pasi Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik. Shqipëria ka nevojë për mbështetjen e Parlamentit Europian dhe nëse nuk do ketë zgjidhje si një anëtar i delegacionit për Europën juglindore, nuk do të isha thjesht dhe vetëm i shqetësuar por do ta konsideroj këtë si një dështim të angazhimeve europiane të Shqipërisë dhe konseguencat do jenë në përputhje me këtë”, ka nënvizuar Bostinaru.

Socialistët kanë marrë një ditë më parë edhe mbështetjen e grupit liberal demokrat në Parlamentin Europian, i cili së bashku me grupin socialist dhe demokrat të drejtuar nga Martin Schultz ka më shumë deputetë sesa grupi i partive popullore, i njohur si grupimi i forcave te djathta.

Ndërkohë, në një deklaratë raportuesja për vizat në Parlamentin Europian, Tanja Fajon i ka kërkuar qeverisë shqiptare që pas khimit të opozitës në Kuvend t’i japë kësaj të fundit mundësinë e ngritjes së komisionit hetimor dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve për të gjitha forcat politike në Parlament, cdo herë pas zgjedhjeve lokale ose të përgjithshme.

Në deklaratë shkruhet se hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën sesi do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen.

Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave, ka përfunduar deklarata e reporteres Tanja Fajon.

Top Channel