SHISH, tërhiqet Kuvendi

17/03/2010 20:10

Partnerët e Shqipërisë në NATO nuk janë ende të kënaqur nga ndryshimet e fundit në projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror.

Këtë ata e bënë të ditur në tryezën e thirrur enkas nga ish-presidenti Moisiu. Ish-kreu i shtetit shprehu keqardhjen e tij që vihen në diskutim marrëdhëniet me vendet e NATO-s, pikërisht në përvjetorin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Shqetësim i ndarë edhe nga ish-presidenti Meidani.

“Politikanët nuk duhet të heshtin kur partnerët ndërkombëtarë bëjnë thirrje kundër Parlamentit, që hesht e që ndoshta po i bën pa e kuptuar dëm Shqipërisë”, ka deklaruar Moisiu.

Ndersa Meidani u shpreh se, “këto ndryshime do te rezultojnë në një kontroll politik të SHISH. Ndaj për reforma për institucione të tilla të ndjeshme duhet një konsensus i gjerë dhe një ekspertizë ndërkombëtare”.

Nderkohe, ambasadorja britanike Fiona McIlëam vlerësoi pikërisht faktin se sot Shërbimi Informativ Shqiptar, një institucion tepër profesionist sipas saj, nuk është më një mjet i pushtetit për të kontrolluar dhe shtypur.

“C’ka nuk do të thotë se nuk duhen reformat apo investime të mëtejshme në shërbim. Por do të thotë se duhet vepruar me kujdes, në mënyrë që reforma as të mos nxitohet më shumë se ç’duhet dhe as të mos merret ndryshe nga ç’duhet. Nuk duam të kthejmë mbrapsht prirjen pozitive. Sepse kjo do të dëmtonte shërbimin dhe për rrjedhojë do të dëmtonte edhe Shqipërinë. Por reformat afatgjata kërkojnë një proces të kujdesshëm, kërkojnë konsultime të gjera me shoqërinë civile, ekspertë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Sepse kjo përputhet edhe me detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s, sic tha edhe presidenti Moisiu dhe sigurisht, përputhet edhe me aspiratat për integrimin në Bashkimin europian”, ka deklaruar McIlëam.

Ndersa ambasadori Withers tha se hartuesit e projektligjit duhet të kenë besim te miqtë, duke i lejuar që të ndihmojnë për krijimin e një shërbimi informativ, në themel të të cilit qëndron besimi në popullin shqiptar.

“Roli i shërbimeve informative është të mbrojnë sigurinë e vendit.  Por të gjithë ne kemi parë shumë shpesh, në ato vende që nuk janë demokratike, që ai rol shtrembërohet dhe, në fakt, shndërrohet në rol për të mbrojtur ata që janë në pushtet pikërisht nga ata njerëz që ata qeverisin. Të gjithë ne që jemi mbledhur këtu jemi përfaqësues të dy prej organizatave dhe institucioneve më të mëdha ku Shqipëria dëshiron të jetë pjesë, NATO dhe Bashkimi Europian. Dhe mes të gjithëve ne, të gjithë përvojave tona, ekziston shumë ekspertizë, një histori e gjatë përvoje në ndjeshmëritë dhe nevojat për drejtpeshime, kontrolle dhe balanca, ndarje të pushteteve, përgjegjësi të përkufizuara, që janë të rëndësishme për një shërbim informativ në një demokraci. Besoj që të gjithë ne, me anë të pranisë sonë këtu, po themi se jemi të gatshëm të ndihmojmë për te ofruar të gjitha këto shërbime, për të parë reformat e shërbimit informativ në Shqipëri, në përpjekje për ta bërë atë më të mirin e mundshëm. Dhe veçanërisht, për të shmangur gabime që do ta çonin procesin e ndryshimit në shërbimin informativ në drejtimin e gabuar”, ka nenvizuar Withers.

Duket se ky presion ndërkombëtar ka dhënë frytet e veta. Ndryshe nga c’ishte parashikuar, projektligji nuk do t’i paraqitet të enjten seancës plenare. Ministria e Drejtësisë po konsultohet me misionin e Bashkimit Europian për sistemin e drejtësisë EURALIUS.

Top Channel