“Champions”, Bajern përballë Mançester në cerekfinale

19/03/2010 12:35

Eshtë hedhur në Nion të Zvicrës shorti i cerekfinaleve të Champions League, ku tetë skuadrat e kualifikuara të këtij sezoni janë Arsenal, Barcelona, Bajern i Mynihut, Bordo, Inter, Mançester Junajtid, Lion dhe CSKA e Moskës.

Për herë të parë që nga sezoni 1998-99, 6 vende janë të përfaqësuara në fazën cerekfinale të kësaj veprimtarie. Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino dhe përfaqësuesi i finales së Madridit, Emilio Butragenjo kanë hedhur shortin.

Barcelona do të vazhdojë rrugën për mbrojtjen e trofeut dhe këtë herë përballë tyre do të jetë Arsenali i Arsen Venger, skuadër të cilën e kanë mundur në vitin 2006 kur fituan Champions League-n. Cifti tjetër është derbi francez Bordo-Lion, duke i siguruar vendit të tyre një skuadër për në fazën gjysmëfinale.

Një tjetër përballje e fortë është ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Mançester Junajtid, apo ndryshe nga një përballje Riberi-Runei. Kampionët e Italisë të Interit do të luajnë në ndeshjen e parë në Rusi.

Ndeshjet e para do të zhvillohet më 30 dhe 31 mars ndërkohë që ndeshjet e kthimit më 6 e 7 prill. Eshtë përcaktuar edhe skema e ndeshjeve gjysmëfinale, fituesja e ciftit Lion-Bordo do të përballet me fituesin e ciftit Bajern-Mancester, ndërkohë që fituesja e Ciftit Arsenal-Barcelona përballet me fituesen e ciftit Inter-CSKA e Moskës. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen më 20/21 dhe 27/28 prill, ndërkohë që finalja zhvillohet më 22 maj në Santago Bernabeu,të Realit të Madridit.

Top Channel