Bërthamoret, Obama dhe Medvedev firmosin traktatin

08/04/2010 12:35

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai rus Dmitri Medvedev nënshkruan sot në Pragë, Traktatin për reduktimin e armëve bërthamore.

Presidentët nënshkruan një sërë dokumentash dhe më pas shtrënguan duart me njëri-tjetrin.

Obama e quajti traktatin si paktin më të rëndësishëm gjithëpërfshirës të dy dekadave të fundit.

“Sot është një ditë themeltare për sigurinë bërthamore dhe marrëdhëniet amerikano-ruse. Përmbushet objektivi ynë i përbashkët për të negociuar Marrëveshjen e Re të Reduktimit të Armëve Strategjike dhe përfshin reduktim të rëndësishëm të armëve bërthamore”, u shpreh Obama.

Ndërkaq, presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, tha se sot është konkretizuar dokumentin që në tërësi ruan balancën e interesave të Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara. Presidenti rus, megjithatë, vuri në pah se Moska mund të tërhiqet nga kjo marrëveshje, nëse Shtetet e Bashkuara ndërtojnë një sistem të mbrojtjes kundër-raketore, që do ta rrezikonte potencialin strategjik bërthamor të Rusisë.

“Miqtë tanë amerikanë e dinë se Marrëveshja do të jetë e vlefshme dhe efektive vetëm nëse nuk do të ketë elemente të reja cilësore të sistemit të mbrojtjes kundër-raketore, që do t’i rrezikonte forcat strategjike ruse”, tha Medvedev.

Sipas Marrëveshjes së nënshkruar, të dyja vendet, brenda shtatë vjetësh, do të reduktojnë rezervat e kokave bërthamore në 1550. Traktati gjithashtu redukton numrin e bombarduesve dhe raketave në nga 700 për secilën palë.

Top Channel