Ndotja e ujit në Tiranë

13/05/2010 20:30

Uji i pijshëm në disa zona të Tiranës rezulton me ndotje bakteriale. Sipas specialistëve të higjenës, zona më problematike ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme është ajo pranë sheshit “Avni Rustemi”.

“Ka disa pika me ndotje, sidomos ajo që ndodhet tek sheshi “Avni Rustemi”. Ka probleme me ujësjellësin e Tiranës, herë pas here kanalet janë të ndotura si pasojë e rrjetit të amortizuar dhe ndërhyrjes pa leje të qytetarëve”, ka deklaruar inspektori Sazan Skuka.

Ndërkohë, probleme janë shfaqur edhe në “Rrugën e Durrësit”, ku ndotja është përsëritur tre herë vetëm gjatë muajit prill, në rrugën “Thanas Ziko”, që lidh “Rrugën e Dibrës” me shkollën “Partizani”, në “Rrugën Bardhyl” dhe në Tiranën e Re.

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili u ka kërkuar të gjithë drejtorëve të shëndetit publik në rrethe të rrisin dozën e klorit në ato pika ku konsiderohet e nevojshme për të evituar kështu ndonjë epidemi të mundshme, sic ndodhi pak ditë më parë në Ballsh.

Top Channel