Daul: Demokracia po funksionon

25/06/2010 23:05

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, kreu i Partive Popullore Europiane, Josef Daul, foli për klimën politike në Shqipëri. Ai tha se demokracia në Shqipëri është funksionale. (UPDATE)

TCH Zoti Daul, ju keni firmosur një letër bashkë zotin Martin Schulz, në të cilën ju thonit se Shqipëria rrezikon perspektivën europiane nëse ajo nuk zgjidh krizën politike. A ndani të njëjtin opinion edhe sot?

Joseph Daul – Mendoj se kemi bërë megjithatë një arritje të madhe sa i përket demokracisë. Kur vendosëm për letrën, 24 orë më pas kryeministri dhe zoti Rama ishin në Strasburg. Ne patëm një diskutim shumë të gjatë, në një restorant në Strasburg, deri në orën 2 të mëngjesit. Dhe megjithatë ne përparuam në shumë çështje. Konkretisht: njohja e zgjedhjeve, e qeverisë, fillimi i punës parlamentare në Kuvend… Dhe besoj se këto po vihen në vend.

TCHPo a mund të flitet sot për krizë, sepse opozita mbështet me forcë idenë se Shqipëria është në krizë dhe kriza nuk është zgjidhur. Po sipas jush?

Joseph Daul – Në çdo rast çdo gjë është e parashikuar: ata mund të ankohen te prokurori – nëse vërtet ka fakte – apo ngritja e atij komisionit të famshëm hetimor, në të cilin kryeministri u ka thënë se do të kenë drejtimin dhe shumicën e komisionit. Pra tani ai duhet ngritur dhe duhet të ecet përpara.

TCHPra për ju gjithçka është mirë, transparenca mund të bëhet nga ky komision?

Joseph Daul – Sigurisht. Ajo që unë kam kuptuar – për këtë arsye u takova me mazhorancën, por edhe me opozitën në Kuvend, që m’i shpjeguan mirë gjërat dhe tani do të flas edhe njëherë prapë mazhorancën për çështje të ndryshme, por besoj se zgjidhja mund të gjendet. Sipas mendimit tim, nuk ka bllokim, demokracia mund të avancojë.

TCH Pra “do të gjejmë një zgjidhje”, “zgjidhja” nuk është gjetur?

Joseph Daul – Kjo është e zakonshme në Parlamentin Europian: duhet gjetur gjithmonë zgjidhje.

TCH Më falni që po këmbëngul në këtë pikë: Ka mesazhe që vijnë nga Brukseli, sipas të cilave nëse kriza nuk zgjidhet, Shqipëria rrezikon statusin e vendit kandidat. Ndërkohë që ju thoni se është “thuajse e zgjidhur”, që mund të gjenden zgjidhje për të ardhmen, etj. A rrezikon ndonjë gjë Shqipëria për statusin e vendit kandidat?

Joseph Daul – Shikoni, unë ju them se nëse demokracia funksionon, Shqipëria nuk rrezikon asgjë…

TCHDhe demokracia po funksionon në këtë moment?

Joseph Daul – Dhe për momentin demokracia po funksionon. Kemi opozitën dhe mazhorancën që po punojnë në Parlament. Mendoj se është ky proçesi demokratik. Që ka mosmarrveshje mes opozitës dhe mazhorancës, kjo për mua është gjë e njohur por, siç them shpesh, – unë nuk jam mazhorancë, por jam grupi më i madh në parlament, – e nëse duhet që demokracia të funksionojë, më duhet të gjej zgjidhje me kolegët e mi në opozitë, pra me Martin Schulz. Dhe nuk ia kalojmë aq keq.

TCHLe të flasim për liberalizimin e vizave: Ka të paktën tre vende, Gjermania, Belgjika dhe Vendet e Ulta, që janë skeptikë në lidhje me disa kritere teknike. A mund të bëjnë këto që Shqipëria të dështojë në këtë pike?

Joseph Daul – Shikoni, ka kaq shumë probleme në nivelin e brendshëm, por edhe të Komunitetit, të Njëzeteshtatëve! Ju cituat një vend si Vendet e Ulta, ku ekstremi i djathtë ka ardhur në pushtet dhe nuk ka qeveri. Atje skepticizmi ekziston sepse, normale, ende nuk e kanë një qeveri. Në Gjermani ka gjithashtu disa pështjellime me atë cka ndodhi me Greqinë, me euron… Por kjo për mua është e përkohshme. Ajo cka tha Parlamenti Europian mendoj se është thelbësore: në çdo rast janë njerëzit e ndershëm që kërkojnë viza për të udhëtuar dhe shqiptarët e ndershëm kanë të drejtë t’i keni ato viza. Sa për të tjerët, gjithsesi ata kanë ikur pa viza. Pra është komplet qesharake t’i bllokosh vizat… Në çdo rast gjërat janë në rrugë të mbarë dhe unë nuk shoh se pse duhet t’i bllokojmë tani vizat për Shqipërinë.


Top Channel