Rigjallërohen eksportet

02/07/2010 15:10

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë për një rigjallërim të eksporteve.

Sipas INSTAT në 5 muajt e parë të vitit, eksportet janë rritur në vlerë ne leke me 72 për qind, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat tregojnë se rritja e eksporteve po udhëhiqet nga mineralet dhe energjia, eksportet e të cilave janë rritur me 3.5 herë krahasuar me një vit më parë.

Një tjetër zë në të cilin eksportet kanë shënuar rritje të ndjeshme është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve. Sipas INSTAT eksportet e materialeve të ndërtimit janë rritur me mbi dy herë krahasuar me një vit më parë, të udhëhequra kryesisht nga eksportet e hekurit dhe celikut.

Eksportet janë ndër zërat e paktë të ekonomisë që po shfaqin shenja të rigjallërimit të shpejtë pas krizës. Vitin e kaluar ato ranë me me rreth 9 për qind në vlerë, krahasuar me 2008, ndërkohë që në sasi rënia ishte edhe më e madhe për shkak të zhvlerësimit të lekut ndaj euros.

Banka e Shqipërisë thotë se rritja aktuale e eksporteve po kompenson kërkesën e ulët në tregun e brendshëm, por edhe po ndihmon në zbutjen e deficitit tregtar, i cili për pesë muajt e parë është ulur me rreth 10 për qind.

Top Channel