Universiteti i Shkodrës, më shumë kuota për master

22/07/2010 08:40

Për vitin e ri akademik, Universiteti i Shkodrës do të ketë më shumë kuota pranimi, si për studentët ashtu edhe për pasuniversitarët.

Ndërkohë që Universiteti i Shkodrës ka mbetur një nga institucionet më me traditë, që ka hapur dyert jo vetëm për qytetet veriore të vendit, por edhe për studentët e Malit të ZI, Kosovës e Maqedonisë. Sakaq, degët në Universitetin e Shkodrës janë të parapëlqyera edhe nga studentët, të cilët aktualisht kanë kryer gjimnazin në Tiranë, Durrës, apo Kavajë.

Në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës është zhvilluar dje paradite ceremonia e dhënies së diplomave për studentët më të mirë të sistemit arsimor trevjeçar dhe atyre master. Konkretisht janë dhënë diploma për 56 studentët që kanë kryer studimet dhe kanë arritur të marrin vlerësime shumë mirë.

Plot 13 prej tyre janë të nivelit master. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, drejtuesit e Universitetit Shkodër dhe drejtues të pushtetit lokal.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Haxhi, u shpreh se universiteti nga viti në vit po u ofron studentëve standarde bashkëkohore, duke bërë që ky universitet të radhitet ndër më të mirët në Shqipëri. Ndërsa zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, u shpreh se Ministria e Arsimit, në të gjitha nismat e saja ka për qëllim rritjen e standardeve universitare ne Shqipëri. Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kanë kryer studimet këtë 2474 studentë, ku 1800 prej tyre me kohë të pjesshme. Universiteti i Shkodrës është universiteti i vetëm në veri të Shqipërisë ku kryejnë ciklet e studimeve studentë nga i gjithë veriu i Shqipërisë dhe shqiptarë nga Mali i Zi. Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës është një nga universitetet më me traditë për sa u përket shkollave universitare në Shqipëri.

Top Channel