Sarandë, spitali SOS për gjak

30/07/2010 08:10

Shkojnë pranë nivelit zero rezervat për gjak në spitalin “Petro Nako” të Sarandës.

Kjo ka vënë në alarm drejtuesit, të cilët edhe dje kanë përsëritur apelin për të dhuruar gjak, në përballim të operacioneve të planifikuara, por edhe të situatave të pritshme nga aksidente në det, ato automobilistike e ngjarje të tjera të pazakonta, që mund të ndodhin.

Mjekja Emanuela Zhuli, drejtore e bankës së gjakut në këtë spital, pranon se i gjithë spitali, por sidomos reparti i urgjencave, gati çdo ditë përballet me mungesën e rezervave të gjakut. Rasti i fundit që ajo sjell në kujtesë, është ai i para dy ditëve, kur një grua shtatzënë ishte në rrezik për jetën dhe banka e gjakut ishte bosh.

“Edhe pse përmes mediave lokale u përsërit apeli qytetar për të shpëtuar jetë, duke dhuruar gjak, askush nuk iu përgjigj atij apeli dhe shpëtimi i gruas shtatzënë kaloi shumë pranë vdekjes”, sqaroi Zhuli.

Sipas saj, nevojat për gjak në operacionet e planifikuara është bërë praktikë që përballohen nga familjarët e të sëmurëve që hyjnë në sallë, ndërsa para ngjarjeve të papritura, spitali ndodhet në udhëkryq. Sipas mjekëve situata mund të përmirësohet nëse ka vullnetarë të dhurimit të gjakut. Dhuruesit duhet të kalojnë disa faza para se gjaku i tyre të përdoret për operacione, pasi lënda duhet t’i nënshtrohen testit. Kjo është një tjetër arsye përse dhuruesit duhet të jenë të shumtë.

Top Channel