Rritet çmimi i miellit

08/08/2010 15:00

Prodhuesit e bukës paralajmërojnë rritjen e çmimit për shkak të rritjes së shpejtë që po pëson çmimi i miellit. Sipas tyre një kuintal miell, para një jave është blerë me 4 mijë e 200, ndërkohë që sot është blerë me 5 mijë e 200 lekë, duke pësuar një rritje të menjëhershme prej një mijë lekë.

“Çmimi për momentin nuk është rritur. Pritet një rritje në të gjitha furrat e Shqipërisë pasi çmimi i miellit po rritet me hapa galopantë. Nuk kemi bërë rritje për momentin, të shikojmë se si do shkojë tregu. Nëse rritet mielli do reagojmë edhe ne”, deklaron Ardian Dalipaj, pronar i një furrë buke.

Pronarët e furrave të bukës janë në pritje të rritjes që do të pësojë çmimi për një kuintal miell, pasi  burime të pakonfirmuara thonë se ditën e hënë një kv miell do të shitet me 6 mijë lekë.

Ata nuk japin ende çmimin se sa do të shitet një bukë e zakoshme 70 gramëshe javën që vjen, kur aktualisht ajo kushton 60 leke.

Lëkundjet në tregun ndërkombëtar filluan menjëherë pas vendimit të qeverisë ruse për të bllokuar eksportin e grurit si pasojë e thatësirës dhe djegies së fushave të tëra me grurë nga zjarret që kanë përfshirë këtë vend prej disa ditësh
 

Tregu vendas më shumë pre e abuzimit dhe monopolit

Edhe pse është rritur me 80 përqind brenda një muaji të dhënat tregojne se çmimi i miellit në tregun ndërkombëtar është sërish gati dy herë më i ulët se sa në krizën e viteve 2007-2008.

Dy vjet me parë çmimi i miellit në tregun ndërkombëtar ceku rekordin e mbi 350 dollarëve për ton, nga 200 që është aktualisht. Në atë kohë çmimi i bukës në tregun e brendshëm arriti në 80 lekë.

Por pas krizës së vitit 2008, çmimet e ushqimeve në botë ranë në mënyrë drastike për shkak të krizës, ndërsa konsumatorët shqiptarë nuk përfituan nga ajo. Edhe këtë herë tregu shqiptar nxiton të paralajmërojë rritje të çmimeve, kostoja e të cilëve bie gjithmonë mbi konsumatorët, e sidomos ata me të ardhura më të ulëta.

Por nëse çmimi i bukës në tregun vendas do kishte ndjekur në mënyrë të drejtepërdrejtë çmimin e miellit në tregun ndërkombëtar, atëherë rënia e çmimit duhet të kishte qënë shumë më e fortë se sa ajo që ndodhi.

Dyshimet se tregu i drithërave në Shqipëri, është i komanduar në të kaluarën janë provuar edhe zyrtarisht. Një vit më parë autoriteti i konkurencës provoi se dy kompanitë më të mëdha të miellit në Shqipëri kishin marrëveshje të fshehtë duke rritur artificialisht çmimet, që sot kërcënohen të rriten sërish.    

Top Channel