Akuzat për Presidentin, PS: Sulme politike

08/08/2010 15:40

Partia Socialiste e cilëson debatin dhe akuzat e mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës për Gjykatën Kushtetuese si formë presioni me prapavijë të qartë politike, me të cilin sipas Selisë Rozë synohet intimidimi i kreut të shtetit përballe iniciativave të shumicës.

Për zotin Xhafaj fakti që kjo përplasje nisi pas përfundimit të sesionit parlamentar është tregues i qartë i objektivit të vërtetë të Partisë Demokratike.

“Kjo përkon me reagimin e presidentit ndaj ligjit të SHISH-it dhe faktit që ai la të kuptohej që edhe nëse ai do të miratohej ai do ta kthente pas këtë ligj, lidhet me faktin se janë kthyer disa kandidatura dhe nuk janë pak ,por vetëm 4 janë në Gjykatën Kushtetuese për t’u risjellë në parlament, pra është edhe një lloj paralajmërimi për to. Natyrisht janë dhe problemet e brendshme që ka Partia Demokratike”, u shpreh deputeti Xhafaj.

Nga ana tjetër sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj nuk sheh asnjë pengesë aktuale në funksonimin e Gjykatës Kushtetuese

“Çfarë është kryetari i Gjykatës Kushtetuese? Është një figurë administrative në drejtim e kësaj gjykate, dhe siç ndodh në çdo organ administrativ ai nuk mund të largohet pa ardhur zëvendësuesi, pra ka vazhdimësi në veprimin administrativ të Gjyaktës Kushtetuese. Ajo që duhet të shqetësonte mazhorancën duhet të ishte vakuumi problematik që ka lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Kjo nuk bëhet me qëllimin për ta shëndoshur punën e Gjykatës Kushtetuese, por thjesht për të goditur për këtë moment presidentin e Republikës”, tha më tej Xhafaj.

Edhe përsa i përket debatit tjetër të hapur për miratimin e një ligji organik për këtë institucion, Selia Rozë pavarësisht se është pro kësaj inisiative shikon një prapavijë të qartë të mazhorancës, që sipas zotit Xhafaj ka një synim tjetër.

Deputeti socialist thekson se propozimi i pare për një ligj të tillë ka ardhur nga Selia Rozë tre vjet më parë, por kjo nuk u përkrah nga mazhoranca e cila në atë kohë, sipas tij, e konsideronte Presidentin e Republikës si njeriun e saj.

“Para se zoterinjtë e PD të flasin për një ligj organik për presidentin e cili në parim nuk ka pse të kontestohet duhet të kthejnë mbrapsht atë që kanë bërë në rregulloren e Kuvendit, duhet të propozojnë një ligj organik jo vetëm për presidentin, por edhe për Kuvendin, dhe ta shohin këtë si një pjesë tërësore kushtetuese që lidhet me forcimin e fuqizimin e pavarësisë të institucioneve kushtetuese në respekt të ligjit dhe në funksion për të thelluar reformën në drejtësi e cila vazhdon të mbetet një retorike boshe”, tha zoti Xhafaj.

Veç krizës politike, që ka më shumë se 1 vit që ka bllokuar çdo marrëveshje mes shumicës dhe opozitës, në shtator duket se përplasja do të ashpërsohet më tej edhe në këto dy pika të tjera.

Top Channel