PS: Vokshi të dorëzojë imunitetin

09/08/2010 15:30

Deputetja dhe ish-këshilltarja e kryeministrit, Albana Vokshi është shënjestruar sërish nga selia rozë, këtë herë përmes nënkryetares së grupit parlamentar Vasilika Hysi, e cila ka vijuar akuzat për korrupsion, fshehje të ardhurash dhe konflikt interesi.

Sipas zonjës Hysi, fshehja e të ardhurave është vetëm shkelja e parë me të cilën deputetja e Partisë Demokratike Vokshi ka dashur të japë një bilanc tjetër të të ardhurave dhe depozitave që zotëron së bashku me bashkëshortin e saj.

“Zonja Vokshi thotë se burri i saj ka një aktivitet ekonomik prej fillimit të viteve ‘90, por siç tregojnë dokumentat e Qëndrës Kombëtare të Rregjistrimit, të dy kompanitë e Arjan Tartarit të përfshira në veprimtaritë e mësipërme janë krijuar pas vitit 2005, ndërkohë që koncesionet janë marrë në periudhën kur Albana Vokshi ushtronte detyrën si këshilltare e kryeministrit”, ka deklaruar Hysi.

Në emër të Partisë Socialiste, zonja Hysi i kërkoi deputetes së PS Vokshi të lërë imunitetin dhe t’i nënshtrohet hetimit të drejtësisë.

“Zonja Vokshi, në reagimin e saj tha se ishte gati të dorëzonte imunitetin nëse akuzat mbi të do të vërtetoheshin. Në fakt, zonja Vokshi duhet të bëj të kundërtën. Ajo, në fillim duhet të dorozojë imunitetin për t’i hapur rrugën drejtësisë, e cila qoftë për zonjën Vokshi, qoftë për zotin Prifti, duhet të fillojë hetimet sa më shpejt lidhur me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve. Nëse zonja Vokshi do të vazhdojë të fshihet pas mandatit të deputetes, atëhere nuk ka nevojë për deklarata të saja: akuzat janë automatikisht të vërtetuara. Ky është korrupsion i pastër dhe vjedhje e pasurisë kombëtare të shqiptarëve”, ka shtuar Hysi.

Top Channel