Bosi shqiptar, në krye të top-listës së FBI

09/08/2010 21:30

Gazeta prestigjoze amerikane “New York Post” ka publikuar në edicionin on line të saj top-listën e personave më të kërkuar nga FBI në Nju Jork.

Në listën e saj, të shoqëruar me fotografitë e të kërkuarve, FBI i cilëson këta persona si vrasës gjakftohtë, mashtrues miliona dollarësh dhe lordë të narkotrafikut.

Mes tyre, në krye të listës, spikat bosi mizor i botës shqiptare të krimit, Plaurent Dervishaj, 37 vjec, i konsideruar si “armik i popullit” dhe i kërkuari numër 1 në Shqipëri.

“Plaurent Dervishaj kërkohet për shumë vrasje, përfshirë këtu atë të kreut të një grupi rival me një antitank”, shkruan “NYP”.

Sipas saj, Dervishaj është arratisur nga Shqipëria në vitin 2006 për t’iu shmangur arrestimit dhe autoritetet kanë arsye të besojnë se ai ndodhet në Nju Jork.

“Identitetet që ne kemi publikuar u përkasin personave që akuzohen për kryerjen e krimeve të rënda dhe për akte të dhunshme”, ka deklaruar agjenti special James Margolin.

Ndërkohë, në listën në fjalë ndodhet edhe një shqiptar tjetër, Dukagjin Nikollaj, i njohur ndryshe me pseudonimin Djuk, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Top Channel