SHBA fshikullojnë qeverinë

11/08/2010 15:30

Administrata amerikane fshikullon fort qeverinë shqiptare dhe deklaron mbështetjen e plotë për ambasadorin John Withers dhe qëndrimet e tij kritike për shumë cështje të politikës në Shqipëri, përfshirë edhe gjykatësit e lartë.

Ky qëndrim shprehet hapur, i drejtëperdrejtë, pa doreza dhe pa lënë asnjë hapësirë për ekuivok përmes një letre që ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për cështjet europiane Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të sekretares së Shtetit Hillary Clinton i ka dërguar palës shqiptare.

Top Channel ka mësuar përmbajtjen e letrës që zoti Gordon ka dërguar në Tiranë, në përgjigje të letrës që më parë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta i kishte dërguar sekretares Clinton me ankesa për qëndrimet e ambasadorit Withers, përfshirë dhe deklaratat e tij për emërimet në gjykata, specifikisht në Gjykatën Kushtetuese.

Por kjo ankesë ndaj ambasadorit amerikan, e shprehur edhe më parë, në forma të ndryshme nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Berisha, duket se ka acaruar jo pak drejtuesit e Departamentit të Shtetit në Uashington, të cilët nuk kanë ngurruar të përdorin në letrën zyrtare një fjalor të fortë dhe larg termave të zakonshme diplomatike karshi qeverisë shqiptare, për të lënë te kuptohet jo vetëm mbështetjen për ambasadorin Withers, por edhe se qëndrimet e tij nuk janë personale, sic ka aluduar mazhoranca në jo pak raste.

Sic ka mësuar Top Channel, në letër thuhet: “Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën për të cuar përpara marredhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO”.

Në lidhje me emërimet në gjykata, ku konsiston ankesa e qeverisë shqiptare, ndihmëssekretari Gordon shprehet në mënyrë të prerë si edhe ambasadori Withers se: “Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve”.

Së fundi, në letër shprehet edhe shqetësimi për tejzgjatjen e krizës politike, e cila, sipas krerëve të Departamentit amerikan të Shtetit, po kushtëzon integrimin europian të Shipërisë.

“Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërcit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik”.

Në të gjithë kontekstin e saj, përgjigjia e zotit Gordon nuk është thjesht sqarim për qeverinë e Tiranës, por një paralajmërim se politika amerikane nuk do të ndryshojë edhe me ndryshimin e ambasadorit.

Zoti Withers ndodhet në prag të largimit, por pavarësisht kësaj, qëndrimet publike të admninistratës amerikane nuk do të lëvizin një presje edhe me ardhjen e zotit Arvizu.

Në Tiranë, shpesh kritikat e forta të ambasadorit Withers, mazhoranca u kujdes t’i cilësonte si qëndrime personale, por letra e Departamentit të Shtetit heq cdo dyshim dhe tregon se ambasadori amerikan në Tiranë ka folur dhe flet me gjuhën e sekretares Clinton.

Top Channel