Opozita: Uashingtoni, thupër ndaj Berishës

12/08/2010 08:30

Letra “Gordon” ka gjasë të jetë sinjali i parë i një serie reagimesh të ngjashme nga i gjithë faktori ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.

Anëtari socialist i Komisionit Parlamentar të Jashtëm, Qemal Minxhozi, deklaroi dje për gazetën “Shqip” se përgjigja e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Philip Gordon, për ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, shkon përtej kuptimit të një komunikimi diplomatik.

“Kjo është një thupër e merituar për shtetin dhe diplomacinë shqiptare. Është e turpshme që një ministër të ankohet për një ambasador, kur dihet se ambasadori përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e qeverisë së vet, lidhur me zhvillimet politike në një vend tjetër. Mendoj se problemet që shtron letra në fjalë vijnë si një qëndrim politik i rikonfirmuar i Uashingtonit. Ashtu sikurse është shprehur opozita, këtu bëhet fjalë për vetë funksionimin e sistemit, i vënë në rrezik nga qeveria në parimet e veta. Letra është një sinjal i qartë dhe mendoj se reagime të tilla do të mbërrijnë edhe nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë”, u shpreh Minxhozi.

Në vështrim të parë, letra e Gordon është një shuplakë për ministrin e Jashtëm Ilir Meta, ndaj të cilit homologia e tij amerikane, Hillari Klinton ka autorizuar një përgjigje që flet më shumë se çdo gjë.

Në një analizë të shtyrë më thellë, përmbajtja e saj rikonfirmon qëndrimin e SHBA rreth krizës politike në Shqipëri e sidomos ndaj manovrave të gjithfarëllojshme të Kryeministrit Sali Berisha drejt institucioneve të pavarura kushtetuese.

Nënvizimi i çështjes së pushtetit gjyqësor është vetëm një prej problemeve thelbësore për të cilat, ashtu sikurse Withers, edhe letra e Gordon, e publikuar dje nga “Top Channel”, e trajton si çështje delikate, mbi të cilën ka monitorim të vazhdueshëm.

Top Channel