Kombëtarja rikthehet në “Qemal Stafa”

27/08/2010 15:05

Pas polemikave e mosmarrëveshjeve mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtorisë së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” është arritur marrëveshja për rikthimin e ndeshjeve të përfaqësueses kuqezi në kryeqytet.

Pak ditë më parë një mosmarrëveshje e këtyre dy institucioneve ka bërë të mundur spostimin e ndeshjeve të para eleminatore të Kampionatit Europian Euro 2012 me Luksenburgun dhe Bosnje Hercegovinën, në stadiumin e Shkodrës “Loro Borici”.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe UEFA e federatat e dy përfaqësueseve respective. Bisedimet e vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit me Drejtorinë e Stadiumit, kanë bërë të mundur gjetjen e një gjuhe të përbashkët për rikthimin e përfaqësueses në “Qemal Stafa” për këto dy ndeshje.

Më pas, në vazhdimësi të këtyre bisedimeve do të diskutohet edhe për ndryshimin e tapetit të barit të stadiumit kryeqytetas, pasi nuk është në kushtet optimale, gjithsesi, ky do të jetë një hap i dytë, ndoshta nga fundi i vitit.

Ndeshja e parë e përfaqësueses shqiptare për eliminatoret e europianit do të jetë ajo e datës 3 shtator në Bukuresht me Rumaninë, ndërsa dy ndeshjet e radhës, ajo me Luksenburgun më 7 shtator dhe me Bosnje-Hercegovinën më 8 tetor do të zhvillohen tashmë zyrtarisht, pas një komunikimi të dytë me federatat e këtyre vendeve dhe me UEFA-n, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Top Channel