Tubacion nafte nga Fieri në Vlorë

30/08/2010 08:35

Kompania kanadeze që operon në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës po planifikon ndërtimin e një tubacioni të gjatë prej rreth 44 km.

Drejtuesit e kompanisë, gjatë raportimit të rezultateve, bënë të ditur planin e shtrirjes së tubacionit nga Fieri për në Vlorë, ku ndodhen depozitat me naftë, për të kaluar më pas në port. Mbarimi i këtij tubacioni me kapacitet 70 mijë fuçi do të bëjë të mundur eksportin e vëllimeve shumë të mëdha të naftës bruto për në Itali ose vende të tjera të rajonit.

Për këtë qëllim, kompania ka filluar edhe ndërtimin e një depozite tjetër me kapacitet 80 mijë fuçi, duke dyfishuar kështu kapacitetet depozituese totale në 160 mijë fuçi. Referuar portalit shqiptar “karburant.com”, punimet për ndërtimin e tubacionit parashikohen, sipas fazës së parë, brenda vitit 2010.

Aktualisht nafta që nxirret nga nëntoka shqiptare transportohet me autobote, ndërsa kalimi i tyre me tuba konsiderohet një hap drejt zhvillimit të tregut dhe sigurisë. Faza e parë e punimeve parashikon ndërtimin e tubacionit prej 14 km të gjatë, brenda 2010-s, që nis nga fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës për në Nyjën e Fierit. Ky tubacion do të shtojë kapacitetet e transportit hekurudhor me 9500 fuçi, përveç kapaciteteve aktuale të transportit me autobote prej 15000 fuçish. Gjithashtu Nyja e Fierit do të shërbejë dhe për transportin e naftës bruto te dy rafineritë e vendit. Ndërtimi i tubacionit, si dhe ndërtimi i një terminali në Fier (Nyja e Fierit) pritet të mbarojnë në fillim të vitit 2011, duke i dhënë kështu shoqërisë kapacitete eksportuese deri në 24500 fuçi.

Faza e dytë parashikon ndërtimin e tubacionit 30 km të gjatë me kapacitet 70000 fuçi dhe lidh terminalin e Fierit me terminalin e eksportit në Vlorë. Kjo fazë pritet të mbarojë në fillim të vitit 2012.

Top Channel