KRRTRSH miraton planin për portin e Sarandës

03/09/2010 10:20

Në mbledhjen e KRRTRSH-së, nën drejtimin e kryeministrit Berisha, është rënë dakord për rikonstruksionin e portit të Sarandës.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se porti i qytetit jugor do të lejojë ankorimin e anijeve të mëdha.

Ndërsa inxhinierja që ka marrë pjesë në hartimin e projektit ka paraqitur disa detaje.

Sipas saj, porti do të jetë sipas standarteve të vendeve të BE, do të furnizohet 24 orë me energji elektrike dhe do të ketë vende parkimi për makinat.

“Pra, jemi dakord”, ka pohuar kryeministri Berisha pas prezantimit të projektit.

Në mbledhje është diskutuar edhe porti i peshkimit në Durrës. Një prej inxhinierëve që ka marrë pjesë në hartimin e projektit ka saktësuar se janë 2.3 hektarë në pozicion të përshtatshëm për të zhvilluar kapacitetet përpunuese.

Në bazë të studimeve, është vendosur që porti i peshkimit të spostohet në një territor tjetër. Bëhet fjalë për një territor ujor, në të cilin do të punojnë rreth 130 anije peshkimi. Plani në fjalë ka kaluar pas disa sugjerimeve të bëra nga përfaqësuesit e KRRTRSH-së.

Mbledhja po vazhdon edhe në këto momente, ku po diskutohet për projekte të tjera për infrastrukturën.

Top Channel