Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic ka deklaruar se ka ardhur koha për një propozim përfundimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.

“Është koha për një propozim përfundimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit, por ky propozim duhet të përgatitet me shumë kujdes”, ka pohuar Nimic pas takimit të zhvilluar mbrëmë me shefin e diplomacisë greke, Dimitris Droutas në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Nga ana e tij, shefi i diplomacisë greke ka përsëritur qëndrimet e Athinës, të cilat sipas tij janë konsistente, reale dhe të sinqerta.

“Qeveria greke ka vullnet politik për zgjidhjen e këtij problemi në kuadër të linjave të kuqe tashmë të njohura: një emër me përmbajtje gjeografike për përdorim të përgjithshëm. I kam rekomanduar edhe ndërmjetësit Nimic që udhëheqja e Shkupit të vijë në tryezën e negociatave në OKB me një frymë kompromisi. Por për fat të keq deri tani nuk kemi parë gatishmëri të tillë”, ka deklaruar Droutas.

Top Channel