" /> ">

Dritan Prifti ikën nga LSI

12/10/2010 15:00

Kishte deklaruar se nuk do të largohej kurrë nga LSI, por në politikë “kurrë mos thuaj kurrë” është një shprehje që ka atribut të jetë e vërtetë. Po aq sa është e vërtetë se më në fund Dritan Prifti është larguar nga LSI.

Kjo mësohet nga një letër e gjatë e tij, që mban datën 12 tetor, pra një ditë pasi LSI organizoi konventën e Tiranës.

Në letër zoti Prifti pohon ka kohë që reflekton për të ardhmen e tij politike. Ajo që ia ka qartësur më në fund idetë, kanë qenë disa mesazhe telefonike të shkëmbyera me Ilir Metën:

“Dje e kam marrë këtë vendim përfundimtar pas disa mesazheve të shkëmbyera me Ilir Metën ku ai më përmendte edhe katër fëmijët e mi. Atij mesazhi unë nuk iu përgjigja, sepse m’u duk si ato kërcënimet që kam marrë muajt e fundit si Ministër, ku kërcënuesit më përmendnin fëmijët dhe se i dinin shkollat e tyre“, thuhet në letër.

Zoti Prifti thotë se ka duruar shumë kohët e fundit dhe përmend sërish këshilltarin dhe mikun e tij Eduard Belegu, të arestuar në formë presioni ndaj tij, sic thuhet në letër dhe më pas neglizhencën e policisë pas zhdukjes pa gjurmë të zotit Belegu.

Zoti Prifi i rikthehet shkarkimit të tij si ministër i Energjitikës, shkarkim të cilin e cilëson “të padrejtë”. Nga letra mësohet se arsyet e prishjes me Ilir Metën dhe për pasojë shkarkimi i tij si ministër kanë ardhur nga prishja e disa pazareve. Por më shumë se kujdesi për të hedhur dritë, ky pasazh i letrës i ngjan më shumë një forme presioni: kujdes, mund të nxjerr emra!

“Kryetari i LSI hedh poshtë cdo sakrificë, cdo miqësi, cdo bashkëpunim, cdo kontribut, nëse në një rast të vetëm atij nuk i plotësohet dëshira, qoftë dhe kur dëshira e tij nuk mund të plotësohet për shkak të ligjit. Sakrificat, miqësia, bashkëpunimi dhe kontributi im filluan të hidhen poshtë kur një tender në ‘Albpetrol’ nuk e fitoi B.H, sepse komisioni atje e skualifikoi për mangësi në dokumentacion. Gjërat u përkeqësuan kur një koncesion gjykata nuk të lejonte t’ia jepje dot Y.T. Më vonë u prishen më keq punët kur një privatizim nuk mund ta meritonte M, pavarësisht se ai kishte merituar të tjera më parë“, thuhet në letër.

Sic thotë më poshtë në një pasazh tjetër të letrës, zoti Prifti kërkon ta lenë të qetë. Ai identifikon Ilir Metën si frymëzuesin e akuzave për pasurinë e zonjës Prifti. „Nëse vazhdoni,- shkruan në letër Dritan Prifti, -do të merrem edhe unë me pasurinë e Ilir Metës”. Ish-ministri i LSI pëmend edhe një fakt tjetër: blerjen e deputetëve, një trafik influence dhe favoresh, që sipas tij bëhet në kurriz të deputetëve të LSI-së.

“Jam shumë i zhgënjyer që ai ka nxjerrë sekseret e tij në treg për të blerë deputetë të Partisë Socialiste me cmime skandaloze. Dje sekseret e tij i kanë bërë këtë ofertë një deputeti të PS nga Fieri. I kanë ofruar shumë para, kontroll të plotë mbi Albpetrolin si ndërmarrje dhe vendin nr.1 në listat e LSI në qarkun Fier. Sekserët e tij, dhe ai vetë, e kanë më të lehtë të shkojnë të blejnë deputetë nga PS, sesa të respektojnë deputetet e LSI, të cilët kanë luftuar me gjak për të siguruar ato mandate deputeti. 

Por, në këtë lëvizje depuetëtësh, ku do të shkojë Dritan Prifti? Në letër kjo nuk thuhet. Por zoti Prifti njofton se këtë vendim do ta bëjë të ditur në ditët në vijim. Deri atëhere, ai u kërkon simpatizantëve të tij në LSI, që ulin kryet, për t’i shpërtuar raprezaljeve. Për këtë akt largimi nga LSI, zoti Prifti thotë se do që të jetë i vetmi që të marrë përsipër kostot. Për ta mbyllur letrën me këto fjalë:

“Shpresoj shumë që distancimin tim nga Ilir Meta shqiptaret të ma kuptojnë ashtu sic është. Kam bindjen që miqtë dhe shokët e mi më mirekuptojne. Ata dinë dhe më shume se kaq.Zoti ju sjelltë mbarësi në jetët tuaja“, thuhet në fund të letrës.

Top Channel