Dukat, “protestat do të vazhdojnë”

12/11/2010 20:15

Pleqësia e fshatit Dukat dhe banorët e kësaj zone vendosën që të vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e kërkesave në lidhje me pronësinë e tokave në Karaburun.

Një ditë pas përplasjes së dhunshme me forcat e policisë banorët vendosën që mos të tërhiqen në protestat e tyre.

“Të mobilizohemi të gjithë vetëm kështu do t’i tregojmë vendin atij që do të na shtyp. Këtu nuk do të futet asnjë këmbë policie, vetëm me paqe. Nuk trembemi nëse na fusni në burg. Do lëmë edhe kokën”, është shprehur një i ri i zonës.

Pas takimit të zhvilluar në një ambjent pranë rrugës nacionale, banorët e Dukatit dolën në rrugë duke e bllokuar atë për disa minuta. Protesta e tyre ka vijuar qetësisht këtë herë, ndërsa forcat e policisë ishin stacionuar disa kilometra me larg, në pritje të urdhërit për të ndërhyrë nëse banorët do bllokonin rrugën.

Ndërkohë kryebashkiaku i Orikumit Kanan Braho, komentoi ngjarjen e mëngjesit të së enjtes.

“Është e pakuptimtë radikalizimi i një situate që dukej se po zgjidhej. Është e papranueshme dhe nuk mundet që problemet e pronave të zgjidhen nëpërmjet dhunës”, tha Braho.

Qetësor Ferunaj është një nga pjesëmarrësit në protestat e së enjtes në Orikum dhe Dukat. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia.

“Përderisa shteti nuk pranon të na njohë si pronar të këtyre pronave, atëherë jemi të imponuar të mos njohim shtetin si pronar të këtyre pronave. Ne kemi të drejtë të protestojmë”, deklaroi Ferunaj.

Pak minuta pas kësaj interviste policia tentoi ta kapte Ferunajn, por ai u largua. Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar edhe të shtëna. Pas disa orësh i kërkuari është dorëzuar vullnetarisht në drejtorinë e policisë së Vlorës.

Ferunaj se bashku me 18 persona të tjerë, akuzohen për kundërshtim me dhunë ndaj policisë pas përplasjes që ndodhi në shpatin e Karaburunit.

Top Channel