Vlorë, mbahet Kupa e Pavarësisë

28/11/2010 17:45

Në ditën e 98-vjetorit të pavarësisë në Vlorë është zhvilluar edicionin i dytë i Kupës Pavarësia, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali I Zi, pikërisht ekipet të cilat janë edhe fituese të kupave në vendet respektive për sezonin e kaluar futbollistik.

Janë zhvilluar gjithsej tre takime nga 45 minuta. Përballja e parë ishte ajo mes Besës së vendit tonë dhe Renovës së Maqedonisë. Pas përfundimit të 45 minutave të lojës me rezultatin e barabartë 0-0, gjithçka është vendosur nga gjuajtjet e 11-metërshave, që nxorrën fituese skuadrën e Tetovës me rezultatin 5-4.

Ndeshja e dytë ishte ajo mes Otrantos së Malit të Zi dhe Lirisës së Kosovës, takim që u mbyll gjithashtu pa gola, por që nxorri finaliste skuadrën e Otrantos nga Ulqini pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Ndryshe nga edicioni i shkuar në këtë finale nuk kishte asnjë skuadër shqiptare, por u luajt mes Otrantos dhe Renovës. Skuadra maqedonase arriti të zhbllokojë rezultatin brenda 45 minutave me një supergol nga distanca, duke fituar gjithashtu Kupën Pavarësia në këtë edicion të dytë.

Trofeun e parë të këtij aktiviteti vitin e shkuar e fitoi skuadra e Flamurtarit. Tashmë Kupa Pavarësia është kthyer në një traditë dhe vitin e ardhshëm do të zhvillohet edicioni i tretë sërish me 4 skuadrat fituese të Kupave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Top Channel