Real Madrid kërkon Milito

06/12/2010 09:10

Trajneri i Real Madrid, Jose Mourinho, kërkon një përforcim për repartin e sulmit gjatë merkatos së janarit.

Në pritje për të marrë vesh javën e ardhshme nëse Gonzalo Higuain do t’i nënshtrohet apo jo operacionit për problemet e tij fizike, klubi madrilen kërkon në merkato një sulmues tjetër.

Emrave si Adebayor, Hugo Almeida dhe Dzeko, shtypi italian i shton edhe atë të Diego Milito.

Argjentinasi 32-vjeçar luajti një rol kyç në Interin e sezonit të kaluar, i cili fitoi tre trofe: kampionatin italian, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve.

Sulmuesi nuk ka një marrëdhënie të mirë me trajnerin e Interit, Rafael Benitez. Në ndeshjen ndaj Lazio, Milito as nuk u grumbullua nga tekniku spanjoll.

Mourinho kërkoi blerjen e tij verën e kaluar dhe do ishte shumë i kënaqur nëse Milito do i bashkohej në Madrid. Problemi i vetëm është se Milito nuk mund të luajë për Real Madrid në Ligën e Kampioneve sepse ka luajtur me Interin në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.

Top Channel