Top Show, i zhvendosur në Prishtinë në kuadër të serisë së emisioneve me debatet parazgjedhore të politikës së Kosovës, mbajti takimin e parë ku i ftuar ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Fillimisht Kurti bëri një përshkrim të rrugës së tij në politikën e kosovare, që nga dalja nga burgu, më 7 dhjetor të 1999. Ai tha se Vetëvendosja e krijuar më 5 qershor të 2005 po hyn në sistem për ta ndryshuar atë, dhe jo për t’u tjetërsuar prej tij. Kurti vlerësoi se aktualisht pavarësia e Kosovës është thjesht formale dhe se lëvizja që ai udhëheq nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore të 2009 pasi Kosova kishte nëvojë për zgjedhje parlamentare.

Zoti Kurti tha më tej se Kosova ndodhet në një udhëkryq, ose të nisin bisedimet me Beogradin e sipas tij, vendi të shkojë gjithnjë e më shumë drejt shembullit të Bosnjes, ose të krijojë shtet sovran. Zgjedhja i takon popullit tha ai, duke kritikuar mosmbajtjen e asnjë referendumi popullor 11 vjet nga largimi i ushtrisë serbe.

Vetëvendosja, e krijuar si një lëvizje qytetare e cila kundështonte sistemin e ngritur në Kosovë, tashmë është vetë pjesë e tij. Për këtë fakt Kurti tha se Vetëvendosja në sistem ka futur vetëm një gjymtyrë të saj, duke mos ndryshuar thelbin.

“Vetëvendosja po fut njërën gjymtyrë në sistem, zërin e qytetarit të papërfaqësuar. Sovraniteti ka aspektin e vet të brendshëm e të jashtëm. Duam që populli ta ketë të drejtën për vetëvendosje, populli të shprehet nëse do të bashkohet me Shqipërinë. Vetëvendosja është shumë më e madhe se sa institucionet sepse vullneti ynë përputhet me vullnetin e popullit që është më i madh se institucionet”,  tha Kurti.

Kurti, pasi kundërshtoi që “Vetëvendosja” të quhet parti politike, tha se ajo është regjistruar në Komisionin Zgjedhor si nismë qytetare që synon t’i japë Kosovës sovranitetin e saj dhe bashkimin me Shqipërinë.

“Nuk jemi parti, jemi lëvizje politike, as nga pikëvshtrimi as nga sistemi s’jemi parti, jemi regjistruar si nisma qytetare “Vetëvendosje”. Kosovës i duhet sovraniteti, dhe jo pavarësia formale. Ndërhyrja e NATO-s ishte kapitulli i fundit i pjesës së parë, tashmë duhet të nisë kapitulli i dytë. Këtë ndryshim do ta bëjnë qytetarët e Kosovës, nuk e bën lëvizja Vetëvendosje. Populli të shprehet me referendum për bashkimin me Shqipërinë. Sigurisht që do të ketë kundër, por do të respektohet shumica, demokracia kjo është”, u shpreh Kurti.

Ai e përshkruajti pushtetin e ndërkombëtarëve në këtë dekadë në Kosovë, si një pushtet me tipare kolonizatore dhe shprehu angazhimin për të kthyer raportet me ta në raporte partneriteti dhe jo serviliteti.

Më tej Kurti tha Vetëvendosje angazhohet për heqjen e pakos Ahtisari nga Kushtetuta e vendit dhe se minoritetit serb do t’i garantohen të gjitha të drejtat e njeriut në bazë të të gjitha të konventave ndërkombëtare e europiane.

“Do të integrojmë serbët pasi të ndërpresim ndërhyrjet e Beogradit për të kuptuar se kush janë serbët e Kosovës. Veriu nuk zgjidhet me anë të negociatave me Serbinë, të gjithë e dinë se sa më mirë të sillesh me Serbinë aq më ashpër sillet ajo”, tha Kurti.

Kurti e cilësoi programin e Vetëvendosjes si një koncept mbarëpopullor, e jo individual dhe se nuk ka rëndësi emri i kryeministrit, ministrit apo presidentit të ardhshëm të Kosovës në rast se del nga kjo Lëvizje.

Top Channel