Berisha përshëndet studentët e Dhjetorit

08/12/2010 18:55

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në kuadër të 20-vjetorit të lëvizjes së dhjetorit të vitit 1990, ka përshëndetur studentët që atëherë zbritën në shesh kundër diktaturës më të egër komuniste.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Berisha ka shprehur vlerësimin e tij ndaj këtyre studentëve, të cilët i sollën Shqipërisë të drejtën e lirisë.

“Studente dhe studentë shqiptarë, me rastin e 8-dhjetorit, kur 20 vjet më parë u përballëm me diktaturën më të egër që ka njohur Evropa, ju përshëndes të gjithëve kudo që ndodheni. Gëzuar festën e lirive tona, festën e 8 dhjetorit! Sot, për mua dhe secilin prej jush, të nderuar qytetarë shqiptarë, është momenti t’u përulemi sakrificës së atyre studentëve”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i qeverisë ka përshëndetur edhe ish-bashkëpunëtorin e tij Azem Hajdari, që bashkë me të rinjtë e tjerë ndezën rrezen e shpresës.

“Studentët, nën udhëheqjen e tribunit Azem Hajdari, në vendin më të izoluar të planetit do të ngriheshin dhe do të ndiznin mbi shpirtrat dhe zemrat tona të shkretëtuara rrezen e shpresës”, ka pohuar Berisha.

“Ju u shfaqët atë natë dhjetori si misionarë, si qënie tokësore, ndaj dhe ne nuk kishim fjalë apo emër tjetër për ju, përvec fjalës së lirisë sonë. U bë e mundur fitorja përfundimtarë ndaj regjimit më tiranik që planeti kishte njohur ndonjëherë. Sot, pas 20 vjetësh, vepra juaj, që e bëri vitin 1990 më të rëndësishmin, është shumë më e madhe dhe shndërrin qindra herë më shumë se dhjetori i ‘90-ës”, iu është drejtuar ai studentëve.

Lideri i Partisë Demokratike ka shtuar më tej se tani ai u detyrohet atyre kthimin në realitet të ëndrës evropiane.

“Ata që kanë lindur pas ‘90-ës ju detyrohen juve fatin e madh që rriten të lirë. Kombi shqiptar ju detyrohet ju sot Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe lëvizjen e lirë në mbarë Evropën. Mua nuk më mbetet gjë tjetër vecse të shndërroj në realitet ëndrrën tuaj evropiane. Zoti ju bekoftë ju dhe shqiptarët”, ka shtuar Berisha.

Top Channel