Masakra e aksidenteve, shteti humb betejën

27/12/2010 15:45

Shteti shqiptar ka dështuar për vite të tëra me radhë në strategjitë e sigurisë rrugore. Aksidentet kanë njohur në 10 vitet e fundit një kurbë rritjeje, duke mbetur në kuotat e 300 deri në 350 të vdekur cdo vit.

Viti 2010 po mbyllet me një bilanc të rëndë tragjedish në rrugë, ku vetëm dita e diel shënoi 8 viktima.

Në muajt prill-maj, Drejtoria e përgjithshme e policisë ndërmori një plan masash si dhe bëri ndryshime thelbësore në strukturën e organizimit të këtij sektori, me synim parandalimin e aksidenteve, por dhe kjo rezultoi pa sukses.

Por ndërsa kryhen vetëm rrokada emrash, ajo që ende nuk kryhet nga policia mbetet hetimi thelbësor mbi shkaqet e aksidenteve në Shqipëri.

Padyshim, që numrin një të problemit e mban mosdisiplinimi i drejtuesve të mjeteve, të cilët ende nuk mund të edukohen nga policia.

Drejtues që kryejnë aksidente si shkak i konsumimit të pijeve alkoolike, shpejtësisë tej normave të lejuara, tregon se ende ata nuk e kanë frikë ndëshkimin e policisë rrugore. Dhe kur askush nuk e ka frikë policinë në rrugë, gjendja i përafrohet anarkisë.

Gjobat janë të një mase të ulët dhe nuk kanë ndikuar ende në disiplinimin e drejtuesve. Por edhe pse të vogla, në disa raste masat nuk aplikohen edhe si pasojë korrupsioni është evident më së tepërmi në radhët e kësaj policie.

Këtë fakt e tregon edhe arrestimi i një numri të madh të policëve të qarkullimit. Ata mbeten numri 1 i të arrestuarve për korrupsion në administratën shtetërore.

Por sinjalistika dhe rrugët janë burimi i dytë dhe rehabilitimi i tyre mbetet shumë larg. Gjithcka, sipas specialistëve, do të përmirësohej me një rregullim në kodin rrugor, i cili në optikën e Ministrisë së Brendshme është shumë larg dhe kjo jo për faktin se do 84 vota në Parlament.

Por ajo që mbetet e pashpjegueshme është mungesa e efektivave të specializuar. Miliona euro shpenzohen për trajnime, por sërish drejtimi i policisë së qarkullimit rrugor nuk u jepet ekspertëve. Vetëm po të shohësh emërimet e fundit kupton se nuk ka vullnet për ndryshimin e situatës.

Drejtimi në 9 nga 12 qarqet e vendit u është dhënë kuadrove që vijnë nga sektorët e kufirit, rendit, apo antikrimit.

Vetëm në tre raste perzgjedhja erdhi nga radhët e kuadrove që e njohin qarkullimin rrugor, Tiranë, Durrës dhe Fier. Dhe aksidentet më të rënda gjatë këtij viti kanë ndodhur pikërisht në prefekturat që ata mbulojnë.

Policia, e cila shpejtoi të thotë se njeh një përmirësim të situatës me 9 për qind në aksidentet rrugore, nuk rezultoi të jetë e vërtetë.

Vetëm pak ditë pasi kryeministri i vendit kërkoi masa drastike dhe statistika europiane, rrugët e vendit u mbushën sërish me të vdekur. Që pas urdhërit të kryeministrit, në vend janë rregjistruar cdo ditë 1 i vdekur nga aksidentet.

Top Channel