Zbulohen sekretet e suksesit të Fiqiriut

27/12/2010 21:20

Fituesi i edicionit të parë të Albanians Got Talent. Fiqiri Luli, tregoi për emisionin e pasdites në Top Channel se cili është çelësi i suksesit të tij.

I punësuar prej gjashtë vitesh në Cirkun e Tiranës, ai gëzon statusin e artistit profesionist dhe një talent për t’u patur zili. Megjithatë, fituesi i 20 mijë eurove i detyron suksesin më shumë se gjithçkaje punës së palodhur.

Trajneri i tij, Pavli Sallata, sqaron se numrat e Lulit në të tre raundet e shfaqjes së Top Channel, patën si synim jo vetëm nxjerren në pah të aftësive të tij, por edhe traditën popullore apo filozofinë e jetës.

Një tjetër person që ka kontribuar në suksesin e Fiqirut, drejtori artistik i Cirkut, Fatos Rroshi veçon edhe më shumë aftësinë e artistit në numrin final, ku shkëlqeu në bashkëpunimin e tij me një tjetër artiste të cirkut, Sabina Troshkun.

”Ai numër mund të bëhet vetëm prej dy personave që kanë diferencë të madhe peshe mes tyre. Fiqiriu është 60 kilogram, vetëm dhjetë më shumë se Sabina, prandaj kjo e bën dhe më të veçantë e të vështirë numrin e tij të shkëlqyer”, thotë Rroshi.

Ndërkohë, karriera e Fiqiriut nuk do të përfundojë vetëm me vendin e parë në Albanians Got Talent. I njëjti numër, bazuar në elementë të Jogës, do të perfaqesojë Shqipërinë në Festivalin Ballkanik, në plan për t’u mbajtur në maj të 2011-tës në Belgjikë.

Top Channel