Mosarrestimi i gardistëve, juristët: Precedencë e rrezikshme

23/01/2011 16:25

Për juristen Vjollca Meçaj, ish-anëtare në Gjykatën e Larte e tashmë drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, refuzimi i policisë për të ekzekutuar urdhër-arrestet e prokurorisë shënon nisjen e një precedence të rrezikshme, por që sipas saj, për prokurorët ka një zgjidhje e cila është gjykata.

“Nëse do të shprehet gjykata cështjat do të jetë e zgjidhur dhe nuk do të ketë më refuzim, të jeni të sigurt. Zgjidhja është gjykata. Policia duhet të zbatojë të gjitha urdhërat që jep prokurori sepse është ai autoriteti që zhvillon ndjekjen penale. Organet kanë lirinë të kryejnë disa veprime paraprake të cilat kontrollohen nga prokurori, anulohen nga prokurori dhe në të njëjtën kohë prokurori i orienton dhe i urdhëron ata të bëjnë disa veprime të tjera proceduriale. Ata janë të detyruar t’i bëjnë, ky është ligji, kjo është Kushtetuta, ky është rregulli. Se kush është përgjegjës në këtë mosbindje, unë shpresoj shumë që ta gjejë prokurori e t’i shkojnë gjesë deri në fund sepse është e rëndë që të krijohet një precedencë e tillë brenda një shteti demokratik”, tha juristja Mecaj.

Zonja Meçaj thekson se prokurorët nuk duhet të dorëzohen dhe të hetojnë paralelisht jo vetëm ngjarjen por edhe njerëzit në polici që nuk zbatojnë ligjin në këtë rast.

“Shpresoj që prokuroria t’i shkojë gjërave deri në fund, sepse në të kundërt do të krijojmë precedentë ku në këtë shtet nuk do ta marrë vesh i pari të dytin. Prokuroria duke ndërtuar hetimin, duke kryer veprimet e nevojshme proceduriale në këtë drejtim, nuk duhet të heqë dorë edhe nga mbajtja e një qendrimi, këshillimi për ata oficerë të policisë që nuk zbatojnë urdhër-arrestet”, sqaron zonja Meçaj.

Top Channel