Berisha me gardistët “e arrestuar”

24/01/2011 13:45

Kur mandat-arrestet për 6 drejtuesit e Gardës së Republikës të akuzuar për vrasje nga prokuroria, nuk janë ekzekutuar nga policia dhe as që pritet të ekzekutohen, kryeministri Sali Berisha ka vizituar efektivat e Gardës së Republikës, duke u dhënë mbështetje maksimale dhe duke marrë prej tyre duartrokitje entuziaste.

“Gardistët bënë detyrën tuaj. 80 prej jush u plagosën dhe bashkë me ju u plagosën edhe 27 policë”, u tha Berisha atyre.

Të 6 drejtuesit për të cilët janë lëshuar mandat-arrestet ishin në takimin me kryeministrin, i cili mbrojti tezën se kërkesa për arrestimin e tyre është jo vetëm e paligjshme, por edhe pjesë e skenarit pucist të kreut të opozitës Edi Rama.

“U lëshua urdhër-arrest për të gjithë zinxhirin komandues të gardës pa bërë asnjë hetim. U mor rregullorja e gardës, u zbulua kush ishte komandanti dhe u lëshua urdhërarresti. Ky ishte plani B i pucit ndaj shtetit. Kryeministri është gati për cdo hetim. Nëse ti aplikon dënim kolektiv, nuk ka kod në botë që ta pranojë”, theksoi Berisha.

Për të treguar se prokurorja e përgjithshme është pjesë e skenarit pucist, sic tha kryeministri, ai vuri në dukje faktin se deri tani për asnjë nga organizatorët e tij nuk është lëshuar asnjë mandat-arresti.

Megjithatë, kryeministri tha se strukturat e qeverisë së tij janë të hapura për cdo hetim, vecanërisht për vrasjen e tre protestuesve.

“Rezultuan tre viktima. Kërkova një hetim të menjëhershëm të prokurorisë. U qëlluan nga jashtë, nga brenda apo i shkau dora, snajper nuk kishte. Po të kishte qëlluar gardisti ndaj tyre mund të kishin qenë 30. Ne nuk do bllokojmë asnjë hetim ndaj cilitdo”, tha Berisha.

Komandanti i Gardës së Republikës, që kryeson listen e të gjashtëve, për të cilët prokuroria ka lëshuar mandat-arrestet, foli fare shkurt në fillim dhe në fund, duke perifrazuar një pjesë të betimit të gardistit.

“Ju siguroj se Garda e Republikës do të kryejë detyrën e saj të bazuar në ligj, në interes të vendit dhe të kombit”, tha ai.

Një gjë të ngjashme bëri edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjate një takimi në mesditë të kryeministrit Berisha me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

“Ju garantoj ju dhe gjithë qytetarët që policia do të jetë në zbatim të detyrave të saja ligjore për të garantuar rendin dhe drejtësinë. Asnjë devijim nga detyrat kryesore nuk do të ketë”, theksoi Burgaj.

Duke shprehur mirënjohje për të gjithë efektivat e policisë, kryeministri Berisha dha edhe një detaj tjetër nga dita e protestës, si një argument që sipas tij fakton qëllimin e Edi Ramës për marrjen me dhunë të institucioneve kushtetuese.

“Ana më e shëmtuar ishte që ky njeri për 5 orë rresht komandonte falanga krimi që gjuanin mbi ju në mënyrë barbare. Drejtuesit tuaj, në mënyrën më të përsëritur bënë gjithcka që të komunikonin me të me celular, por ai as që ia u hapi dhe as iu përgjigj mesazheve”, tha Berisha.

Si në takimin me gardistët, edhe me drejtuesit e Policisë së Shtetit, kryeministri vuri në dukje mungesën e informacionit nga Shërbimi Informativ Kombëtar, përgjegjësitë e të cilit, sic tha ai, bashkë me ato të prokruores së përgjithshme do t’i zbardhë komisioni hetimor parlamentar i ngritur të dielën në mbrëmje.

Top Channel