Svoboda: Kriza, problem europian

25/01/2011 00:35

Johanes Svoboda, një ndër liderët e grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian e cilëson krizën si një problem jo vetëm shqiptar, por europian.

Në një intervistë për Deutche Welle, Svoboda shprehet se vendi ka bërë hapa prapa në integrimin europian, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe energjike të Bashkimit Europian.

“Shqipëria është spostuar prapa përsa i përket afrimit me Bashkimin Europian. Ajo nuk e ka marrë statusin e kandidatit përderisa mbetet në këtë gjendje katastrofike dhe përderisa palët nuk bien dakort për gjërat themelore. Unë nuk shoh ndonjë hap përpara në rrugën drejt BE-së”, deklaron për DW, Svoboda,

Eurodeputeti austriak kërkon që palët të fokusohen tek zgjedhjet lokale. Ai foli edhe për përpjekjet e partive europiane për të bashkuar krerët e politikës shqiptare.

“Situata e Shqipërisë është një problem europian. Nuk është më thjesht një problem shqiptar dhe prandaj Europa duhet të veprojë”, shton më tej Svoboda.

Top Channel