Veliaj: Berishës po i vjen fundi

28/01/2011 14:15

Koordinatori i PS, Erjon Veliaj ka deklaruar se mbledhja e mijëra qytetarëve në demonstratën-homazh të ditës së sotme tregon se kryeministri i vendit po humbet fuqinë e tij.

“Është një protestë që ka sjellë në shesh mijëra qytetarë. Kryeministri i kërcënoi, por mesa duket ai e ka humbur fuqinë e kërcënimit. Të gjithë po mblidhen në shesh, presim të vijnë nga juglindja, ndërkohë që sapo kanë ardhur protestues nga Fieri dhe i gjithë jugu”, ka pohuar Veliaj.

Ai është shprehur se protesta e sotme është një demonstratë paqësore për të kujtuar viktimat e 21 janarit, të cilët sipas tij u vranë nga dora shtetërore, e kapur nga korrupsioni qeveritar. Në këtë situatë, ka thënë Veliaj, kryeministrit Sali Berisha po i vjen fundi.

“Lajmi është se tre njerëz u vranë nga garda. Spunto për atë agresivitet ishte korrupsioni në qeveri nga zëvendëskryeministri Ilir Meta. Nuk mund të bësh një puc shteti me lule në dorë, ashtu sikurse me cadra. Vetëm bilanci i viktimave tregon se kush kishte armët. Për Berishën ka filluar fundi”, është shprehur Veliaj.

Ish-drejtuesi i lëvizjes Mjaft ka shtuar më tej se PS ka rritur masat e sigurisë për kryetarin e saj pas kërcënimeve të kryeministrit dhe pas politizimit të sipas tij policisë.

“Ne i kemi marrë seriozisht kërcënimet e Berishës ndaj liderit të opozitës dhe kemi marrë disa masa sigurie shtesë. Gjithashtu kemi marrë informacione nga shërbimet e inteligjencës. Nëse policia ka dështuar për të garantuar sigurinë, ne do ta garantojmë atë vetë”, ka shtuar Veliaj.

“Ne të drejtën për tubimë nuk do ta negociojmë. Ashtu si qytetarët amerikanë kanë të drejtë të mbajnë armë për të kundërshtuar qeverinë tiranike, edhe qeveria shqiptare është bërë tiranike dhe zemërata jonë do vazhdojë”, ka thënë ai.

Sa për mundësitë për zgjidhjen e krizës politike, Veliaj ka saktësuar se opozita është në pritje të qëndrimeve të BE, që do të paraqiten nga i dërguari i Catherine Ashton, si dhe ka përmendur opsionin e zgjedhjeve të parakohshme.

Top Channel