Përgjohet edhe Presidenti

29/01/2011 19:50

Komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit trondit opinionin dhe vë në përgjim të gjithë krerët më të lartë të shtetit.

Pasi u vu nën akuzë nga kryeministri Berisha, vetëm një ditë më parë, Komisioni ka deklaruar se do të kërkojë tabulatet telefonike të kreut të shtetit, zotit Bamir Topi për të gjithë muajin janar në funksion të ngjarjes së 21 janarit, që ky komision po e heton dhe që e ka cilësuar që në titull si “grusht shteti”.

Në listën që Enkelejd Alibeaj lexoi për tabulatet telefonike është edhe prokurorja e përgjithshme Ina Rama, institucioni që ajo drejton po kryen vetë hetime, si organ kushtetues për 21 janarin.

Po kështu kërkohet përgjimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, zotit Bahri Shaqiri dhe zëvendësit të tij.

“Unë kërkoj nga depozitarët, ata që në bazë të ligjit kanë detyrimin për të ruajtur dhe për të skeduar thirrjet telefonike, tabulatet, të këtyre personave:

1. Zotit Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë;
2. Zonjës Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit;
3. Zotit Bamir Topi, president i Republikës;
4. Zotit Lulëzim Basha, ministër i Brendshëm;
5. Zonjës Ina Rama, prokurore e përgjithshme;
6. Zotit Bahri Shaqiri, drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror;
7. Zotit Ylli Alushi, zëvendësdrejtor i SHISH;
8. Zotit Ndrea Prendi, komandant i Gardës së Republikës;
9. Zotit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste;
10. Zotit Fidel Ylli, deputet;
11. Zotit Bashkim Fino, deputet;
12. Zotit Paulin Stërkaj, deputet;
13. Zotit Tom Doshi, deputet;
14. Zotit Gramoz Ruçi, deputet;
15. Zotit Namik Dokle, deputet;
16. Zotit Fatmir Xhafa, deputet;
17. Zotit Sajmir Tahiri, deputet;
18. Zotit Taulant Balla, deputet;
19. Zotit Ilir Gjoni, deputet;
20. Zotit Erion Braçe, deputet;
21. Zotit Besnik Bare, deputet;
22. Zotit Ilir Beqja, deputet;
23. Zotit Dashamir Peza, deputet;
24. Zotit Arben Çuko, deputet;
25. Zotit Asllan Dogjani, deputet;
26. Zotit Ndue Kola, deputet;
27. Zotit Armando Prenga, deputet;
28. Zotit Gjok Jaku, deputet;
29. Zotit Spartak Ngjela në cilësinë e kryetarit të Partisë Ligj dhe Drejtësi;
30. Zotit Skënder Gjinushi, kryetar i Partisë Socialdemokrate;

Këto skedarë të ruajtjes së komunikimeve telefonike, që këta zotërinj kanë pasur edhe me pajtimtarë të tjerë të telefonisë mobile, do të doja të shtriheshin për një periudhë që i përket gjithë muajit janar të këtij viti. Unë besoj se mbi bazën e detyrimit ligjor që kanë të gjitha shoqëritë përkatëse që ofrojnë rrjetin telefonik, përveçse e kanë detyrim, kanë mundësinë dhe aftësinë që një përgjigje të tillë shkresore të na e sillnin për një afat pesë ditorë”, është shprehur Alibeaj.

Kërkesa për tabulatet do të hapë betejën e radhës juridike. Përmes këtij vendimi duket se komisioni hetimor po heq fshehtësinë e komunikimit të kreut të shtetit dhe institucioneve të tjera.

Po kështu tabulatet telefonike kërkohen për personat e vënë nën akuzë penale, në një kohë kur presidenti i Republikës është person me imunitetit dhe jo nën akuzë penale. Sikundër edhe Ina Rama.

Top Channel