Ndërrohen truprojat e Ina Ramës

31/01/2011 16:25

Në mënyrë të beftë, Garda e Republikës ka ndryshuar katër truprojat e prokurores së përgjitshme Ina Rama, duke i zëvendësuar ata me katër të tjerë.

Ata kanë marrë këtë detyrë me urdhër të komandantit të përgjitshëm të gardës, Ndrea Prendi, që është njëkohësisht njëri nga gjashtë personat për të cilët është në fuqi urdhër-arresti mbi ngjarjet e 21 janarit.

Katër ish-truprojat e prokurores së përgjithshme, zonjës Rama, kanë qenë në këtë detyrë që prej nëntorit 2007, kohë në të cilën kryeprokurorja u emërua në krye të organit qendror të akuzës.

Ndërkohë, i vetmi person që nuk është zëvendësuar të pakten deri më tani me një truproje tjetër është truproja femër që shfaqet kudo në krah të prokurores së përgjithshme.

Mësohet se zëvendësimi i truprojave është i pamotivuar, në një kohë që ky urdhër i leshuar nga komandanti i gardës, Ndrea Prendi, ka konflikt interesi, pasi ndaj zotit Prendi prokuroria po pret të zbatohet urdhër-ndalimi i lëshuar për të që më 22 janar.

Top Channel