Paloka: Akuzat për puç, mbi bazën e fakteve

03/02/2011 22:45

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, deputeti demokrat, Edi Paloka lidhur sulmet e mazhorancës ndaj Prokurores së Përgjithëshme, Ina Rama dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, deklaroi se këto sulme janë hedhur mbi bazën e dyshimeve për bashkëpunim me opozitën, për atë që mazhoranca e quan “puç shteti”.

“Janë hedhur akuza dhe dyshime të bashkëpunimit mes prokurores sepse prokurorja i bindet kryetarit të opozitës dhe jo kryeministrit. Pas akuzave të kryetarit socialist ndaj gardistëve në orën 1 të natës, Prokurorja e Përgjthshme në 4 të mëngjesit nxjerr urdhër-arresti jo për ushtarin që ka parë në kronikat televizive, por për 10 drejtuesit e gardës. Janë dyshime mbi fakte dhe faktet janë këto, prokurorja mori një veprim në favor të sulmit që do bëhej të nesërmen, u përpoq t’i hiqte mburojën kryeministrisë”, deklaroi deputeti Paloka.

Por për deputetin socialist, Blendi Klosi në Shqipëri nuk ka mbetur institucion shtetëror që nuk është emëruar nga vetë Berisha. Zoti Klosi tha se shqiptarët nuk mund të kthehen pas në kohë ku Berisha ta ndjejë vetën mbret dhe se kjo qeveria nuk ka asnjë legjitimitet, as atë kushtetues, as programativ dhe nuk vjen nga votat e shumicës së shqiptarëve.

“Berisha i emëron vetë institucionet, në Shqipëri nuk ka mbetur institucion përveç opozitës. Nuk mund të jemi më në ‘90 ku Sali Berisha e ndjen veten mbret e mund të bëjë çfarë të dojë me institucionet, i njëjti person shpall armiq të gjithë personat që nuk zbatojnë përrallën e tij. Qeveria nuk ka asnjë nga 3 legjitimetet, nuk vjen me votat e shumicës, njerëzit që kanë votuar për të mos qenë Sali Berisha kryeministër janë më shumë, nuk ka legjitimitet kushtetues, programativ, çka ka premtuar dhe çfarë ka realizuar nuk është asgjë”, tha deputeti Klosi.

Ndërkohë, në replikën e deputetit tjetër demokrat, Fatos Beja u shpreh se në Shqipër, pavarësisht problemeve, ekzistojnë institucionet e pavarura të një shteti demokratik që funksionon.

“Në Shqipëri bëhen votime, ka pushtete të pavarura, një shtet demokratik që funksionon, institucionet janë legjitime, nuk ka diktaturë, institucionet janë të gjitha të çertifikuara ndërkombëtarisht, kjo është një përrallë e opozitës. Në Shqipëri u bënë votime. Opozita ta pranojë që ishte faji Edi Ramës që u zu me Ilir Metën para zgjedhjeve. Këta duan zgjedhje të parakohëshme, zgjedhjet e parakohëshme nuk bëhen në një vend demokratk nëse mazhoranca nuk do dhe në Shqipëri nuk ka protesta popullore”, u shpreh deputeti Beja.

Por për kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, mazhoranca është duke zhvilluar, sipas tij, një folklor politik. Ai tha se kjo mazhorancë për hir të pushtetit po zhyt vendin në një krizë të thellë ekonomike.

“Mos bëni folklor politik me këto tregues, shqiptarët e masin mirëqënien e tyre me xhepin e tyre. Për hir të pushtetin doni ta çoni Shqipërinë thellë e më thellë në krizë ekonomike”, tha Milo.

Për kryetarin e PDS-së, e vetmja zgjidhje për situatën mbeten zgjedhjet e parakohëshme.

Top Channel