Ekspertiza: Ziver Veizi u vra nga armët e Gardës

07/02/2011 11:20

Ka përfunduar ekspertiza e parë për vrasjet e 21 janarit, e cila ka vërtetuar dyshimet se Garda e Republikës ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të demonstruesve.

Predha që ka goditur Ziver Veizin, i cili është qëlluar për vdekje në hyrjen e majtë të Kryeministrisë, i përket një nga armëve të Gardës.

Kjo është vërtetuar nga krahasimi i predhës dhe armës, ndërsa tashmë do të verifikohet edhe se kujt i përkiste kjo armë.

“Ka përfunduar ekspertiza e parë për vrasjet e 21 janarit. Predha që ka goditur Ziver Veizin i përket një nga armëve të Gardës që i janë nënshtruar ekspertizës shkencore në Ministrinë e Brendshme, ku asistoi edhe prokurori amerikan, i cili ka dhënë këshilla për grupin hetimor”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, duke saktësuar se pritet verifikimi i librit të shërbimeve për të saktësuar emrin e gardistit që ka pasur armën në përdorim.

Krahas hetimeve për vrasjet, prokuroria thotë se paralelisht po punon për evidentimin e personave që kanë organizuar demonstratën e 21 janarit.

Pritet që deputetët socialistë të paraqiten sot në Prokurorinë e Tiranës, për të treguar gjithçka kanë parë në bulevard, gjatë ngjarjeve të 21 janarit.

Ftesë u është dërguar tre deputetëve: Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Besnik Bare, të cilët mësohet se janë shprehur të gatshëm të shkojnë për të dëshmuar rreth ngjarjeve të dhunshme që u zhvilluan para godinës së Kryeministrisë.

Ndërsa për kryetarin e PS-së së Tiranës rreth, Pjerin Ndreu, prokuroria ka lëshuar një fletëthirrje, për shkak se ai nuk gëzon imunitet prej deputeti.

“Sterkaj dhe Doshi janë ftuar të deklarojnë rreth pozicionit të tyre në këto ngjarje, për shkak se ata kanë qenë bashkë me demonstruesit në bulevard, ashtu si dhe deputetët e tjerë socialistë pasditen e 21 janarit, kur PS kishte dalë në mbështetje të demonstruesve”, thanë burimet nga akuza kryeqytetase.

Sipas tyre, deputeti Doshi ishte njoftuar të paraqitej në prokurori në datën 25 janar, por deklarata e tij u shty për shkak të disa angazhimeve që deputeti socialist ka pasur atë ditë, duke lënë takimin me prokurorinë në një ditë tjetër.

Pritet që në ditët në vijim ftesa të lëshohen nga prokuroria dhe për deputetët e tjerë të Partisë Socialiste.

Sterkaj dhe Doshi pritet të deklarojnë në Prokurorinë e Tiranës atë që kanë parë në bulevard para godinës së Kryeministrisë, e veçanërisht rolin dhe sjelljen e Policisë së Shtetit dhe forcave speciale, të cilët ishin të angazhuar gjatë katër orëve që zgjati demonstrata e opozitës dhe qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërsa Besnik Bare ishte përfaqësuesi socialist që i kërkoi policisë së kryeqytetit leje për zhvillimin e demonstratës popullore, ku opozita do të ishte në rolin e mbështetësve të qytetarëve.

Top Channel