Arrestohet një prej drejtuesve të gardës

08/02/2011 14:30

Policia më në fund i bindet Prokurorisë dhe ekzekuton urdhër-ndalimin e parë duke i hedhur prangat gardistit Agim Llupo, 15 ditë pas demonstratës së 21 janarit, ku katër persona mbeten të vrarë përpara Kryeministrisë. (UPDATE)

Agim Llupo, sipas planit të masave të gardës për demonstratën që u mbyll me katër të vrarë, është shefi i njësisë speciale dhe më konkretisht është personi që shfaqet në dritare.

Pas ekspertizës së laboratorit shkencor, nën asistencën edhe të tre ekspertëve amerikanë dyshohet se nga arma tip MP5 të jetë qëlluar mbi të ndjerin Ziver Veizi.

Ndërkohë që më herët mjekësia ligjore kishte konfirmuar se Veizi ishte vrarë nga një armë e kalibrit 9 mm.

Pas kësaj përgjigjeje që gjatë këtyre ditëve nuk u tha asnjëherë zyrtarisht nga mjekësia ligjore, prokurorët e dosjes “21 janari” kërkuan akt-ekspertimin balistik të disa armëve të gardës, veçanërisht të atyre efektivëve që shfaqen në pamje duke qëlluar me armë.

Ky është arrestimi i parë që policia bindet të ekzekutojë, ndërkohë që ende janë në fuqi edhe pesë urdhër-ndalime të tjera, mes të cilave edhe për komandantin e Gardës, Ndrea Prendi.

Top Channel