Shpenzimet e pataksueshme

09/02/2011 21:55

Një qytetari do i njihen si shpenzime mjekësore të zbritshme nga taksat vetëm 8500 lekë në vit.

Qeveria ka përcaktuar me një vendim të posacëm kufirin maksimal të shpenzimeve mjekësore, që do u njohë individëve si të përjashtuara nga taksat kur ata të plotësojnë deklaratën e të ardhurave tatimore.

Me këtë vendim qeveria ka konfirmuar edhe një herë politikën e shtrënguar të shpenzimeve që përjashtohen nga taksat, e konstatuar kjo më parë edhe nga ekspertët e fiskut.

Madje, Ministria e Financave kishte lajmëruar më parë se shpenzimet e zbritshme për kurim apo barna do të lejoheshin deri në 4 për qind të totalit të të ardhurave vjetore, por me këtë vendim ato ngushtohen edhe më shumë.

Për një individ i cili ka të ardhura vjetore 800 mije lekë, shpenzimet e zbritshme janë më të ulëta se 1 për qind.

Por, vec nivelit të ulët për individët, vendimi ka edhe një tjetër kushtëzim, duke përcaktuar se për familjet shpenzimet e zbritshme mjekësore nuk mund të jenë më të larta se 32 mijë lekë në vit.

Kjo do të thotë se nëse familja përbehet më shumë se nga 3 persona, shpenzimet e zbritshme, shuma e njohur për individët ulet edhe më poshtë nivelit 8500 lekë.

Deklarata e të ardhurave tatimore ka hyrë në fuqi që në 1 janar të këtij viti. Sipas ligjit, cdo individ shqiptar që realizon të ardhura vjetore më të larta se 200 mijë lekë është i detyruar që brendas datës 31 mars të vitit 2012 të plotësojë një deklaratë tatimore ku të deklarojë të ardhurat që ai ka realizuar, qoftë nga paga apo dhe burime të tjera.

Top Channel