Vdes këngëtarja 22-vjecare

28/02/2011 12:30

Elisiana Hidersha, 22 vjec, këngëtare e njohur me emrin Emmy, ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës pas qëndrimit për disa ditë në koma.

22-vjecarja nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda që mori nga një përplasje me një automjet, ndodhur në orët e vona të së shtunës së kaluar, në afërsi të një lokali nate në zonën e Varrit të Bamit, në Tiranë.

Për këtë ngjarje, policia kishte arrestuar shtetasin kosovar Aziz Kelmendi, 44 vjec, nga qyteti i Pejës.

Sipas dëshmive të dhëna në polici, mes këngëtares dhe 44-vjecarit kishte patur një debat, ndërkohë që mes tyre dikur ka patur edhe një lidhje intime. Debati ka vijuar jashtë ambjenteve të lokalit, ku ndodhi edhe aksidenti tragjik.

Vajza u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës me dëmtime shumë të rënda në kokë dhe në tru. Pas dy ditësh ajo ndërroi jetë.

Policia ndaloi 44-vjecarin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe ka marrë dëshmitë e personave që kanë qenë prezent në momentin e plagosjes së rëndë.

22-vjecarja me origjinë nga Skrapari u bë e njohur 4 vitet e fundit me interpretimin e disa këngëve. Ajo ka konkurruar me një këngë edhe në një nga edicionet e festivalit Top Fest.

Top Channel