Flluska e superfuqisë energjitike

08/03/2011 15:15

Në vitin 2007 kur reklamoi projektin e saj për ta shndërruar Shqipërinë në fuqi energjetike, qeveria paralelisht me konçesionet në HEC-e nisi edhe një fushatë për ndërtimin e parqeve eolike, që do të prodhonin energji me erë si burim alternativ.

Në dy vitet pasuese u liçencuan një sërë parqesh, kryesisht në jug të vendit, afër zonave turistike, kapacitet maksimal i të cilave arrinte në 1350 mega ose përafërsisht sa fuqia aktuale energjetike e vendit.

Për here të pare ERE liçencoi gjithashtu edhe një central që do të prodhonte energji me biomasë në zonën e Lezhës.

Projektet kishin nga pas premtime për investime deri në 3 miliardë euro dhe sipas planit, do fillonin të ndërtoheshin në vitin 2010.

Sipas të dhënave zyrtare, qeveria ka liçencuar përkatësisht 1350 mega fuqi për parqet me erë, 1400 për hidrocentrale të vogla dhe të mesme dhe 237 për centralet me biomasë.

Në total këto projekte do të rrisnin me mbi dy herë prodhimin e energjisë në vend, duke dhënë shtesë edhe rreth 5 miliardë kilovatorë të tjera.

Por cila është gjendja? Sërish Top Channel i referohet të dhënave zyrtare të raportit të ERE-s janë ndërtuar deri tani, 0 mega për parqet me erë, 16 mega hidrocentrale të vogla ose 1.14 përqind e totalit të konçesionuar dhe 0 për centralin me biomasë.

Si rezultat nga nga miliardat e kiloavtorëve që duhej të hynin në prodhim kanë hyrë vetëm 50 milionë kilovatorë që prodhohen nga 5 HEC-e të vogla private. Më pak se 1 përqind.

Por më shumë se tejkalim pa fund afatesh, problemi më i madh me projektet energjetike, qoftë kjo erë, biomasën dhe për pjesën dërrmuese të HEC-eve të vogla është se ato nuk po fillojnë të ndërtohen.

Ngërçi i zgjatur ka shumë pasoja njëherësh. Veç humbjeve prej qindra milionë eurosh në vit, siguria e furnizimit me energji të vendit është në nivelet minimale, siç e thekson edhe vetë ERE në raport.

Shqipëria ka energji pa ndërprerje vetëm në vite të jashtëzakonshme hidrike, me kosto përmbytjesh.

Por nëse thatësira do të rikthehet me gjendjen aktuale të burimeve, Shqipëria kërcënohet sërish nga krizat energjetike ose në rastin më të mira nga importet miliona euro.

Top Channel