Shkatërrimi i kopshtit botanik

11/03/2011 17:10

Kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku i cili ka në administrim segmentin e unazës së madhe që do të zaptojë një pjesë të mirë të kopshtit botanik, shprehet se projekti ruan të njëjtën gjurmë të projektit të Bashkisë së Tiranës, përpiluar në bashkëpunim me BERZH, por me një ndryshim fare të vogël, sipas tij, që bëhet me funksion lehtësimit të trafikut.

“Ndryshimi i vetëm që unë konstatoj është shmangia e mbikalimit. Ka qenë një mbikalim që përkonte në aksin e Komunës së Parisit i cili nga drejtoria e rrugëve është gjykuar të zhvendoset në aksin e rrugës përkrahë kompleksit të stadiumit Dinamo. Zë një sipërfaqe rreth 15 përqind, prej 20 mijë metrosh ose 2 hektarësh. Edhe unaza e miratuar nga bashkia me sa jam në dijeni, të njëjtën gjurmë ruan. Pjesa e ndryshimit mund të jetë një sipërfaqe shumë më e vogël, 1 mijë apo 2 mijë metra mbi atë që mund të ishte miratuar”, është shprehur Fatbardh Plaku, kryetar i Komunës së Farkës.

Por nga ana tjeter ish nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi shpjegon se kredia me të cilën do të zbatohej projekti i parë u ofrua nga BERZH me kushtin që të zbatoheshin disa kritere, ku primare ishte mos cënimi i kopshtit botanik, konsultimi me grupet e interesit duke evituar ndërtimin e një autostrade, por të një rruge urbane të mirëkompletuar.

“Projekti i Bashkisë së Tiranës, i miratuar në bashkëpunim me BERZH-in, ishte fryt i konsultimeve të panumërta, me të gjitha palët e interesuara. U kërkua edhe nga banka që të kryhej një studim i plotë mjedisor ekonomik dhe social. Atje kemi tre elemente shumë të rëndësishme të mjedisit, kemi liqenin, kopshtin zoologjik dhe kopshtin botanik, duke pasur parasysh se ndikimi në këtë ekosistem të ishte zero. Tashmë zëvendësohet me një projekt që nuk e dimë as kush e ka bërë, as kur është bërë. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje të beftë për interesa elektoralo-korruptive”, deklaroi Shalsi.

Pas konflikit të Bashkisë së Tiranës me qeveri për ndërtimin e unazës së madhe, projekti i dytë është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe askund nuk janë bërë të ditura kriteret që janë respektuar për të.

Madje as kryetari i komunës së Farkës nuk është në dijeni nëse ka patur studim apo konsultime me grupet e interesit gjatë hartimit të këtij projekti.

Top Channel