Tatimet komplikojmë skemën e deklarimit

15/03/2011 08:00

Ndryshon skema e deklarimit të aktivitetit që biznesi ka kryer në vitin 2010. Ndryshe nga herët e kaluara, ku brenda 31 marsit biznesi dorëzonte në tatime vetëm katër lloj bilancesh, tani me një udhëzim të drejtorit të përgjithshëm, janë futur edhe kritere të reja.

Në bazë të udhëzimit, lëshuar më 11 mars, krahas dorëzimit të pasqyrave financiare konform standardeve të kontabilitetit, tatimpaguesit do të dorëzojnë edhe kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi, gjendjen e inventarit të materialeve dhe mallrave më datë 31 dhjetor 2010, si dhe inventarin e mjeteve të transportit në pronësi.

Të tria këto shtesa kërkohen nga tatimet në një kohë kur kanë mbetur edhe rreth dy javë nga skadimi i afatit për dorëzimin e bilanceve, duke ia komplikuar më tej biznesit procedurën.

Gjithashtu, shumë biznese i kanë deklaruar me kohë bilancet, por me ndryshimet e fundit dhe të papritura, subjektet duhet t’i futen punës edhe një herë nga e para, veprime që kërkojnë kohë dhe mbartin kosto.

Ndryshe nga sa deklaron Ministria e Financave se biznesit po i lehtësohen procedurat në raport me tatimet, realiteti tregon të kundërtën.

Ekspertët i gjykojnë procedurat e fundit si tepër burokratike dhe si “stërkëmbësh” i tatimeve ndaj biznesit, tani kur afatet janë drejt skadimit.

Top Channel