Apeli “liron” trafikantin turk

17/03/2011 15:15

Një ndër bosëve të trafikut ndërkombëtar të drogës Abdul Selam Turgut, 44 vjec, i janë hedhur prangat duke hyrë në Rinas më 18 shkurt të këtij viti, për llogari të drejtësisë gjermane.

Por arrestimi i tij është mbajtur tepër sekret dhe nuk është bërë publik nga policia shqiptare, ndoshta për shkak të rëndësisë së emrit të tij dhe hesapeve të hapura edhe me drejtësinë e Austrisë, Holandës dhe Italisë, që e kërkojnë po për cështje droge.

Burime policore bënë të ditur se gjatë këtyre javëve shteti gjerman i ka kërkuar Shqipërisë zgjatjen e afatit me 40 ditë, derisa autoritetet e këtij vendi të dërgonin dokumentacionin e duhur për ta ekstraduar në Gjermani.

Por për cudi, Gjykata e Apelit në Tiranë nuk e ka lënë në arrest me burg sikurse ka kërkuar prokuroria, duke i caktuar një masë tjetër, arrestin shtëpiak.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është dhënë në fillim të këtij muaji, ndërkohë që autoritetet sqarojnë se ky vendim nuk e dëmton aspak procesin e ekstradimit derisa dokumentacioni të mbërrijë me anë të një letërporosie.

Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar jo pak pakënaqësi në organin qendror të akuzës, e ndoshta edhe për llogari të gjermanëve, cka ndoshta do të reflektojë bashkëpunimin institucional të vendeve tona në këtë fushë.

Abdulselam Turgut përmendet si emër edhe në shtypin turk, në një operacion antidrogë të kryer në këtë vend. Sipas shtypit turk, Abdulselam Turgut është mes pesë emrave të tjerë, ku ka edhe shtetas shqiptarë, që janë nën hetim pasi sipas shtypit turk kishin bërë plane të fusnin një ngarkesë heroine edhe në Shqipëri, nëpërmjet një mjeti të ngarkuar me patate. Por ky plan ka dështuar pas arrestimit të një futbollisti i cili u kap me 27 kilogramë heroinë.

Top Channel