Bankers blen puset e “Albpetrol”

02/04/2011 15:20

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço ka autorizuar kompaninë publike “Albpetrol” të transferojë 140 puset e fundit që i kishin mbetur në zonën e Patos-Marinzës tek kanadezët e Bankers Petroleum në këmbim të 34 milionë dollarëve.

Marrëveshja, që është nënshkruar mes dy kompanive, u bë e ditur fillimisht nga Bankers Petroleum në faqen e saj zyrtare, ku kompania kanadeze njofton se pas blerjes së puseve të fundit nga “Albpetrol” ajo shndërrohet në prodhuesin e vetëm të naftës në zonën e Patos-Marinzës.

Marrëveshja konçesinare e nënshkruar në vitin 2004 nga ish qeveria socialiste, i jep të drejtën Bankers Petroleum të merrte të gjitha puset e “Albpetrol” në zonën e Patos-Marinzës, por në mënyrë graduale dhe me afate të përcaktuara kohore.

Por kompania kanadeze ka kërkuar përshpejtimin e proçesit, duke i propozuar Ministrisë së Ekonomisë transferimin e menjëhershëm të 140 puseve që i kishin mbetur “Albeptrolit” dhe për këtë ka ofruar 34 milionë dollarë.

Marrëveshja është miratuar nga ministri i Ekonomisë, por përpara se të hyjë në fuqi duhet të marrë miratimin e këshillit të ministrave.

Sakaq aksionet e kompanisë kanadeze në bursë u rritën menjëherë me 8 përqind pas njoftimit për marrjen e monopolit të prodhimit në zonën më të pasur naftëmbajtëse jo vetëm të Shqipërisë, por edhe Europës kontinentale, me rezerva të provuara dhe të sigurta nafte që arrijnë në 120 milionë fuçi.

Tashmë “Albeptrol”, e cila prej vitesh ndodhet në proçese të dështuara privatizimi, do të mbajë vetëm përgjegjësitë mjedisore në zonë duke i dhënë fund një historie shumë vjeçare të prodhimit publik të naftës, një nga eksportet kryesore të Shqipërisë komuniste.

Top Channel