PDIU çel zyrtarisht fushatën

02/04/2011 17:50

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit, në një ceremoni të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.

Fushata është çelur nga presidenti i nderit të PDIU-së, Tahir Muhedini i cili nën brohoritjen e mbështetësve “E duam Çamërinë!”, theksoi se “PDIU është partia ku bashkohen idealet dhe dëshirat tona, është partia e çështjes çame”.

“Ditë e veçantë, është emocioni i të qenit i bashkuar për çështjen çame dhe çështjen kombëtare. Sot më shumë se kurrë ne kemi në dorë fatet e çështjeve tona. Ne jemi shumë herë më të fuqishëm se 6 vite më parë kur nisëm betejën. Përpara dy muajsh së bashku me Idrizin vendosëm të lëmë pas ato pak gjëra që na ndanin dhe të bashkohemi për kauzën tonë të madhe. PDIU është partia ku bashkohen idealet dhe dëshirat tona, është partia e çështjes came, është partia e gjithë shqiptarëve dhe çështjeve të pambyllura të kombit tonë. Ta çojmë përpara çështjen çame deri në bashkimin e saj. Ne mund t’ia dalim sepse prej krijimit të shtetit shqiptar i gjithë kombi ka pasur sloganin se ‘Pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka Shqipëri’”, theksoi Muhedini.

Pas tij fjalën e ka marrë kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka edhe mbështetjen PDIU-së, parti në këtë koalicion.

“Çështja çame mund, duhet dhe do të zgjidhet në bazë të konventave ndërkombëtare”, deklaroi Basha.

“Vij me respektin më të madh për ju dhe sakrificën tuaj, unë respektoj veprën e gjyshërve të mi, atë të çdo shqiptari. Jam para jush si kandidati për zgjedhjet e ardhshme të Tiranës. Një nga çështjet e rëndësishme që është lënë pas dore për një kohë të gjatë është çështja e qytetarit dhe hallet e tij, një vizioni që ne ia afrojmë në mënyrë konkrete çdo qytetari të Tiranës”, theksoi Basha.

Kryetari i PDIU-së, Shpërtim Idrizi deklaroi se sot çështja çame është më e fortë se kurrë.

“Ne e duam Shqipërinë, ne e duam Kosovën, ne e duam Çamërinë. Shumë nga ne kemi si pikënisje Çamërinë. Kurrë nuk do ta harrojmë tokën tonë, kurrë nuk do ta harrojmë Çamërinë. Sot Çamëria ka mijëra vajza dhe djemë që do i dalin përpara çështjes çame. Sot kjo çështje është më e fortë se kurrë, ajo ka rilindur. Padrejtësitë nuk mund të harrohen, ne nuk harrojmë dhe ne do të kërkojmë drejtësinë e munguar”, theksoi në fjalën e tij Idrizi.

“Ne kemi qenë të parët qe kemi kundërshtuar regjistrimin e popullsisë sipas kombësisë. A është e drejtë që me një dekaratë të deklarohesh grek, shqiptar, alien, marsian. Sigurisht kjo nuk mund të ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë”, theksoi Idrizi.

Top Channel