Fushata, incidente në Tiranë

03/04/2011 19:20

Shfaqen edhe në Tiranë incidentet e para të fushatës. Heqja e flamujve të LSI-së nga shtyllat elektrike buzë rrugës, në afërsi të stadiumit “Dinamo”, nga policia bashkiake ka hasur në rezistencën e drejtuesve dhe simpatizantëve të kësaj partie.

Rreth orës 14 .00 grumbullimit për të mos lejuar heqjen e këtyre flamujve i janë shtuar edhe forcat e rendit.

Luan Rama, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ka deklaruar se ky është një sulm i kryetarit të PS-së, Edi Rama ndaj LSI-së.

“E gjitha kjo nuk është gjë tjetër vecse pjesë e tensionit parazgjedhor që ka përfshirë kryetarin në ikje të Bashkisë së Tiranës i cili natyrisht verbohet kur sheh ngjyrën e kuqe të LSI-së, që është pjesë e fushatës tonë elektorale”, tha Luan Rama.

Por kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, u ka kërkuar të gjitha forcave politike të respektojnë ligjet në fuqi, duke e deklaruar vendosjen e simboleve partiake në rrugë, si të jashtëligjshme.

“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të zbatojnë ligjin për fushatat zgjedhore. Sot inspektoriati nisi aksionin për heqen e të gjithë flamujve të partive të ndryshme të cilët në mënyrë të paligjshme janë vendosur në rrugët dhe bulevardet e Tiranës. U bëj thirrje partive pjesëmarrëse në fushatën zgjedhore të respektojnë me përpikmëri ligjin”, tha kreu i këtij inspektoriati, Ardit Kaja.

Ky është incident i parë kur duhet më shumë se një muaj nga dita e zgjedhjeve është tregues i tensionit të lartë, e që pritet të shoqërojë këtë fushatë zgjedhore, të paktën deri në 8 maj.

Top Channel