BE: 21 janari, po pengohen hetimet

04/04/2011 19:35

Situata politike në Shqipëri, roli i Parlamentit, pavarësia e gjyqësorit, reforma në administratë dhe cështjet fiskale e ekonomike do të diskutohen në takimin e dytë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes delegacionit shqiptar, të kryesuar nga Majlinda Bregu, ministre e Integrimit Europian dhe përfaqësisë së Komisionit Europian, që udhëhiqet nga drejtori për Zgjerimin, Pierre Mirel.

Sipas dokumentit konfidencial, të siguruar nga TCH, qëndrimi i Brukselit për pjesën politike do të fukusohet në krizën mes partive kryesore, vecanërisht në ngjarjet e 21 janarit, ku kërkohet hetim i plotë dhe i pavarur nga sistemi gjyqësor.

“Delegacioni i BE do të shprehë shqetësim të thellë për situatën aktuale politike, duke përfshirë edhe bllokimin e gjatë të qëndrueshem politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv politik. Do të shprehë keqardhje për dhunën dhe zhvillimet dramatike të datës 21 janar dhe do të theksojë se këto ngjarje dhe përshkallëzimi i tensioneve që pasuan nuk janë në përpjestim të drejtë me ato te një vendi aspirant për anëtarësim në BE, ato rrezikojnë të vonojnë perspektivën europiane të vendit”, thuhet në dokument.

Përveç kësaj, delegacioni i BE-së do të theksojë se është e domosdoshme që ngjarjet e 21 janarit të hetohen plotësisht nga autoriteti i duhur i Drejtësisë së Shtetit.

“Hetimi duhet të ndiqet sic duhet nga prokuroria e të ndëshkohen të gjithë ata që do të rezultojnë fajtorë. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë në gjendje të punojë i pavarur, pa pengesa dhe pa ndërhyrje të panevojshme. Duhet shmangur pengimi në mënyrë direkte ose indirekte, si dhe skualifikimi i institucioneve shtetërore. Sigurimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore është një ndër prioritetet kryesore të opinionit”, thuhet në dokument.

Dokumenti paraprak përsërit qëndrimin e BE-së se qeveria dhe opozita ndajnë përgjegjësinë për kapërcimin e krizës politike dhe për zbutjen e situatës konfrontuese.

“Delegacioni i BE-së do të bëjë thirrje për ndryshimin e tonit politik. Retorika acaruese nuk i kontribuon rivendosjes së qetësisë dhe shmangies së rrezikut për dhunë të mëtejshme e polarizimin e shoqërisë shqiptare”, bëhet e ditur në të.

Në këtë qëndrim shprehet dhe shqetësimi për mënyrën e funksionimit të Parlamentit, duke kërkuar madje dhe rishikim të rregullores.

“Delegacioni i BE-së do të theksojë se funksionimi i duhur i Parlamentit përfshin dhe përmirësimin e performancës së tij kontrolluese dhe funksionet mbikëqyrëse. Do të nënvizohet nevoja për të marrë masa për të garantuar zbatim të plotë dhe efikas të rregullores, gjithashtu dhe rishikim të saj bazuar në konsensusin ndërpartiak, duke përfshirë këtu dhe përsa i takon përbërjes dhe mandatit të komiteteve hetimore parlamentare”, nënvizon dokumenti.

Pjesë e kriterit politik është dhe media, ku do të theksohet nevoja për amendimin e dispozitave mbi shpifjen në Kodin Penal dhe do t’i kërkohet palës shqiptare që të zbatojë sic duhet ligjin aktual për qasjen në informata.

Një gjë e tillë argumentohet se do të inkurajonte Shqipërinë për të promovuar në mënyrë aktive pluralizmin e ideve dhe lirinë e plotë të medias.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel