Rindërtohet aksidenti i Himarës

05/04/2011 19:55

Realizohet rindërtimi kompjuterik përmes të cilit ekspertë të pavarur autoteknikë përshkruajnë sekondë pas sekonde aksidentin ku mbeti viktimë Aristotel Guma në Himarë, ngjarje e cila zgjoi polemika etnike si nga shteti grek, por edhe minoritetet në Shqipëri.

Sipas ekspertëve të pavarur, 35 vjeçari Aristotel Guma apo Aristidh Guma ka vdekur nga aksidenti automobilistik.

Mekanizmi se si ka ndodhur aksidenti automobilistik i gushtit 2010 është depozituar në Prokurorinë e Vlorës për llogari të proçesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tetë të rinjve vlonjatë.

Sipas ekspertimeve të kryera në vendngjarje, por edhe verifikimeve të makinës së autorëve dhe motoçikletës së viktimës, specialistët e qarkullimit rrugor shprehen në këtë material se “Audi A3” që drejtohej nga i akuzuari Ilir Muka po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në drejtimin Himarë-Himarë fshat.

Autovetura dhe motoçikleta kanë ecur pothuajse paralel për disa metra përpara se të përplaseshin. Të dy mjetet kanë vijuar të ecin paralel edhe në kthesë. Më pas për shkaqe të panjohura motorçiklisti, pra Aristotel Guma bën një manovër kthimi në drejtim të rrugës duke hyrë në hapësirën ku udhëtonte Audi përreth 60 centimetra.

Pas ndërprerjes së menjëhershme të rrugës nga ana e motorçikletës goditet fillimisht parafango e djathtë e Audit e më pas pjesa e djathtë e mjetit godet parakolpin e motoçikletës.

Motorçikleta bie në anën e djathtë sipas ekspertëve për shkak të energjisë që zotëronte dhe energjisë së fituar nga përplasja me autoveturën, ndërsa drejtimi i rrëzimit të motorçikletës ndryshohet për shkak të forcave shtytëse dhe forcave të fërkimit në karrexhatë

Sipas ekspertëve drejtuesi i mjetit Ilir Muka nuk ka patur mundësi reale në këto sekonda që të përshquajë lëvizjen e motorçiklistit e aq më tepër të kishte mundësi reale të reagonte duke frenuar për të evituar aksidentin.

Top Channel